MPJ e Gjermanisë: Non Paper nuk rrjedh nga ne

MPJ e Gjermanisë: Non Paper nuk rrjedh nga ne

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka mohuar në mënyrë të prerë autorësinë e një “non-paper”, në të cilën projektohej ideja e krijimit të një autonomie brenda Kosovës.

MPJ e Gjermanisë e demantoi dokumentin, të njëjtën gjë të martën e bëri edhe Ambasada e këtij shteti në Prishtinë.

Ata thonë se besojnë në bisedimet Kosovë-Serbi të cilat drejtohen nga i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

“Përkundrazi, ministri i Jashtëm Maas theksoi edhe një herë gjatë vizitave të tij në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar se “e gjithë mbështetja jonë shkon në dialogun e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, të moderuar nga BE, nën udhëheqjen e të dërguarit special të BE-së Miroslav Lajcak”, thuhet në deklaratë.

Më tutje, theksohet se përmes zgjidhjeve nga dialogu synohet perspektiva evropiane e Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i këtij dialogu për normalizimin është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse që kontribuon në stabilitetin rajonal, përfshin njohjen reciproke dhe kështu u mundëson të dy vendeve një perspektivë reale të BE dhe anëtarësimin në BE”.

Ky non-paper u publikua një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të niset për në Bruksel.

Atje kreu i ekzekutivit Kosovar do të ketë një varg takimesh me përfaqësues të Bashkimit Evropian. /Insajderi.com