fbpx

MPJ komenton referimin e ambasadës së Turqisë ndaj Kosovës si “Kosova dhe Metohija”

MPJ komenton referimin e ambasadës së Turqisë ndaj Kosovës si “Kosova dhe Metohija”

Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj, e ka cilësuar gabim teknik referimin e ambasadës turke ndaj Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.

Përmes Facebook-ut, Zyberaj tha se Turqia është vend mik dhe partner i Kosovës, duke e përmendur edhe faktin se e ka njohur pavarësinë e Kosovës si dhe e ka mbështetur njohjen e saj ndërkombëtare.

“Turqia është një vend mik dhe partner i Kosovës. Është ndër të parat që ka njohur Kosovën dhe ka mbështetur njohjen tonë ndërkombëtare.
Gabimet teknike dhe keqkuptimet nuk ndikojnë në lidhjen e miqësisë sonë dhe nuk janë pasqyrë e cilësisë së partneritetit tonë që është i fortë”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

Ambasada turke kishte shkruar se ambasadori Tanju Bilgiç u takua me drejtorin e “zyrës për Kosovë dhe Metohi, Marko Gjuriq”, për të diskutuar situatën aktuale, kështu duke iu referuar Kosovës si “Kosovë dhe Metohi”.

Por sot, ambasada turke në Beograd pas reagimeve të shumta në këtë publikim nga komentuesit kosovarë, ka hequr pjesën Metohi dhe ka lënë vetëm emrin Kosovë në fotografitë ku shihen ambasadori turk në Beograd dhe drejtori i ashtuquajtur zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq.