MPJ mohon tërheqjen e njohjes nga Madagaskari

MPJ mohon tërheqjen e njohjes nga Madagaskari

Media serbe “Tanjug”  ka  raportuar se Republika e Madagaskarit e ka tërhequr vendimin e saj për njohjen e Kosovës.

Një gjë të tillë e kanë mohuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Fatmir Haxholli, këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit, ka thënë se Serbia përmes lidhjeve të ndryshme po bën një fushatë kundër Kosovës.

“Serbia po bën fushatë agresive në kontinentin afrikan dhe për këtë po shfrytëzon lidhjet e mundshme”.

“Në rastin konkret, nuk është lajm i vërtetë. E vërteta është se Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq dhe eksponentë të politikbërjes në Beograd po provojnë të shfrytëzojnë ish-ambasadorin e Madagaskarit në Rusi, për më shumë se 10 vjet, tani Ministër i Punëve të Jashtme në Madagaskar”.

“Dikush që ka shërbyer për më shumë se 10 vjet në Rusi mund të ketë raporte të forta me përfaqësuesit e diplomacisë së Serbisë, ne nuk e dimë se çfarë politika e jashtme në Beograd po  kërkon nga ky ministër”, ka thënë Haxholli për Klan Kosovën.

Haxholli ka thënë se Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacoll është pikërisht në një vizitë në Madagaskar ku po përpiqet të menaxhojë, sipas tij, keqpërdorimet e lidhjeve dhe personaliteteve që bën Beogradi.

“Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është në vizitë në Madagaskar ku edhe po takon personalitete të larta të këtij vendi, duke filluar nga presidenti i Madagaskarit për të menaxhuar këtë keqpërdorim të lidhjeve dhe personaliteteve që bën Beogradi në këtë rast dhe raste të tjera”.

“Pacolli është në mini-tur në vendet afrikane për t’u marrë me degradimin e fushës së Serbisë për të promovuar forcimin e lidhjeve të Kosovës me vendet afrikane, që për një kohë, në të kaluarën, nuk është se janë kultivuar si duhet”.