MPJD jep detaje për aksidentin tragjik në Kroaci

MPJD jep detaje për aksidentin tragjik në Kroaci

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka raportuar se deri në ora 11:30, janë raportuar dhjetë persona të vdekur si pasojë e aksidentit të rëndë që ka ndodhur në Kroaci, ku një autobus nga Kosova doli nga rruga mëngjesin e së dielës.

Po ashtu MPJD, ka njoftuar se 15 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore e 44 të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore.

69 pasagjerë ishin gjithsej në autobus që po vinin nga Gjermania për Kosovë. Kompania “Deva Tours”, konfirmoi se të gjithë ishin mërgimtarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Për fatkeqësi kanë reaguar krerët e shtetit në Kosovë dhe Kroaci. /Insajderi.com