MSH-ja jep sqarime rreth vaksinimit, do të jepen vaksina edhe gjatë ditëve të vikendit

MSH-ja jep sqarime rreth vaksinimit, do të jepen vaksina edhe gjatë ditëve të vikendit

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se procesi i vaksinimit kundër COVID-19 do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të vikendit si në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ashtu edhe në komunat e tjera të vendit, njofton Insajderi.

Sipas njoftimit të MSH-së, në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar.

Po ashtu, vaksinimi në komuna gjatë dy ditëve të ardhshme bëhet sipas ftesave të marra dhe terminëve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Po ashtu nga kjo ministri kanë bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, deri në ora 17:00 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë.

“MSH është e angazhuar që të siguroj numër sa më të madh të vaksinave kundër COVID-19, ndërsa gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen, pritet ardhja edhe e kontingjenteve tjera të vaksinave”, thuhet më tej në njoftim./Insajderi.com