MSH sqaron se pse nuk janë vazhduar kontratat e stafit mjekësor që u punësuan për nevoja të Pandemisë

MSH sqaron se pse nuk janë vazhduar kontratat e stafit mjekësor që u punësuan për nevoja të Pandemisë

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se nuk ka bërë ndërprerjen e kontratave të infermierëve, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur, shkruan Insajderi.

Përmes një komunikatë  për media, është shkruar se MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim.

“Angazhimi i stafit mjekësor dhe operacional është bërë duke u thirrë në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës, i cili lejon angazhim të përkohshëm për nevoja urgjente”, thuhet në njoftim.

Më tej, është theksuar se MSH thekson se ” situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së”.

“Sipas raportit të 24 orëshit të fundit, në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë gjithsej 77 pacientë në trajtim (për COVID-19), prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19 janë gjithsej 28 pacientë. Prandaj, MSh konsideron se aludimet në media dhe në forma të tjera për ndërprerje të kontratave nga ana e këtij stafi, për kontrata të përfunduara nuk janë korrekte dhe të vërteta” është deklaruar në njoftim./Insajderi.com