fbpx

Muharremaj premton 1200 vende të punës dhe 40 milionë euro investime

Muharremaj premton 1200 vende të punës dhe 40 milionë euro investime

Kandidati i AAK-së për Suharekën, Bali Muharremaj ka thënë se programi i tij qeverisës përbëhet nga tetë shtylla kryesore.

“Është punuar një program prej ekspertëve profesionalë, në bashkëpunim me qytetarët dhe shoqërisë civile, ka tetë shtylla me rëndësi dhe është lehtë i realizueshëm për katër vjetët e ardhshme. Shtyllë me rëndësi është zhvillimi ekonomik, sepse problem kryesor është papanuësia e të rinjve. Nuk mund të themi se as shtyllat tjera nuk janë shtylla me rëndësi për këtë qeverisje”.

Muharremaj në Info Lokale në Klan Kosova ka treguar edhe pse ai është më i mirë se kundërkandidatët e tij në këtë garë.

“Unë edhe si deputet kam qenë në terren, nuk ka fshat dhe lagje që nuk e di në komunën e Suharekës, di problemet e qytetarëve dhe kjo më bën më të fuqishëm se kundërshtarët politikë. Janë shumë arsye, jam më punëtor, më praktik, e mbaj fjalën, nuk filozofoj, njoh problemet dhe jam në kontakt me qytetarët, e di që ata njerëz janë puëntorë dhe duhet të dihet si të punohet me ta”.

Madje, Muharremaj është shprehur shumë optimist se do të dalë fitues në zgjedhjet lokale të 22 Tetorit.

“S’ka alternativë, do të jem i pari, jam më punëtori dhe e mbaj fjalën, mandatin katër vjeçar do të kem investime kapitale prej 40 milionë eurosh”.

“Kemi një risi, do të kemi 1400 vende të reja të punës, 500 prej tyre janë në ekonomi dhe biznes, 400 vende të reja të punës janë në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, nuk do të mbesë as një mjek e infermier pa punë, ashtu si asnjë psikolog”.

“300 vende të reja të punës do të jenë në bujqësi dhe pylltari,  bujqit nuk do të vijnë në komunë por komuna do të shkojë te bujqit, me ekspertë që do të bëjnë klasifikimin e tokave, farave, preparateve në mënyrë që t’i ndihmojë sa më shumë bujqit”.

Ai në Klan Kosova ka dhënë edhe një premtim interesant për mërgimtarët që duan të investojnë në Suharekë.

“Zona e tretë që do të jetë zonë ekonomike ka 90 hektarë tokë dhe ka hyrje e dalje në autostradë, por do të ketë fokus për diasporën, diaspora na ka ndihmuar vazhdimisht dhe kemi obligim moral që tu japim toka pa para”.

“Diaspora kanë financa dhe është mirë që ato mjetë t’i investojnë në komunën e tyre, ata na kanë ndihmuar vazhdimisht, do të kenë tokat pa pare, nuk do të merren me dokumente, vetëm të na tregojnë se në çfarë profile do të investojnë”.

Ai ka thënë poashtu se programi i tij përfshin ndryshime në administratë, përkrahjen e të rinjve që  kanë ide për biznes, ashtu si edhe ofrimin e praktikës profesionale për të gjithë ata që përfundojnë studimet.

Muharremaj ka folur edhe për shëndetësinë dhe arsimin.

“Stafi mjekësor është shumë i mirë dhe i përgjegjshëm por është menaxhimi i dobët, nuk kanë pajisje të reja”.

“Në emergjencën e Suharekës duhet të ketë lule, në shtretërit aty nuk ndërrohen çarçafët me muaj, me ne do të ndryshojë”.

“Edhe tek arsimi do të ketë risi, nuk ka cilësi dhe disiplinë në shkolla, nuk ka siguri, në mandatin e ardshëm do të ndryshojë”.

“Do të përdorim një metodë tjetër, drejtorët e shkollave do të zgjedhën nga kolektivi i shkollës në bashkëpunim me bordin e prindërve”.

“Drejtorët e shkollës prej orës 8:00 deri në 16:00 nuk duhet të lëshojnë vendin e punës e deri tash ata as nuk rrijnë në shkolla”.