Mungesa e dijes si hipokrizi kombëtare

Mungesa e dijes si hipokrizi kombëtare

Është më se relevante që mosdija kombëtare ka ngulfatur republikën tonë. Hipokrizia është e nivelit kombëtar ku përmes diturisë sipërfaqësore arrihen qëllimet dashakeqëse. Në qoftëse nuk është qëllimi dashakeqës atëherë veprimi I kryer nga mosdija, rezulton në pasoja anësore ku më shumë bëhet dëm se sa qëllimi I mirë që është paramenduar.

Janë disa vetë-kundërshtime që në esencë janë fundamentale dhe gjë që e formojnë karakterin e individit, nga e cila edhe bazohen marrëdhëniet dypalëshe njerëzore.

Kur një individ, që vetes ia ka veshur shtresën e intelektualit takon disa shqiptarë të suksesshëm ose më interesant si individë, kur gjendet jashtë Kosovës, patjetër që dëshiron ta evidentojë këtë në rrjete sociale në mënyrën se “si hasën në këta shqiptarë jashtë Kosovës”, mirëpo kur kthehen në Kosovë tregojnë që janë kundër politikave të bashkimit kombëtar.

Nuk është e rëndësishme kjo se a i frigohen konkurrencës në biznes të tyre, apo rëndësisë së tyre apo hapësirës mediatike që në aso raste do të jetë më e vogël ngase do të ketë më shumë individë në një entitet dhe shihen si kërcenim ndaj reputacionit të vetëkrijuar. Më e rendësishme është që shpërfaq paskrupullsinë e individit, dhe vetitë individuale.

Në shumicën e vendeve të zhvilluara, ose vendeve me zhvillim trajektorja e zhvillimit në biznes qëndron në anën e ulët, e ku më pas në bazë të shërbimeve dhe kualitetit që ofron ai biznes ose zgjerohet ose duhet të mbyllet për arsye që nuk është se çfarë ka pritur audienca.

Në vendin tonë i kaplon joracionalja – një biznes i posahapur fillon me sukses të zmadhuar, e me një “boom”, e më pas trajektorja shkon në anën e jozhvillimit të lavjerrësit. Kjo tregon racionalitetin mosekzistues në këtë katrahurë.

Mungesa e konsistencës në qëndrime e në parime ka sjellur vendin kolektivisht në këtë ngulfatje. Hapësira imagjinare e veprimit deri më tani ka mbajtur edhe shpresën të gjallë, por nuk ka asnjë gjë që na lejon të mendojmë që kjo hapësirë imagjinare do të rezulton të bëhet e vërtetë.

Në një vend si Somalia, kryeministri i vendit është i diplomuar në Universitetin e Oslos, dhe ka kryer magjistraturen në Shkollën e Biznesit në Edinburgh. Kryeministri i Ugandës, është i diplomuar në mjekësi, dhe ka kryer magjistraturën në Universitetin e Kalifornisë në Shëndetësi Publike.

Janë dy shembuj shumë të thjeshtë, që për dikë mund të duken irelevant, por këto dy shtete hyjnë në grupin e shteteve më të pazhvilluara në botë pavarësisht edukimit të liderëve të tyre. Do të thotë që hipokrizia dhe shfrytëzimi i pozitës që kanë ka rezultuar në këta persona të jenë ndër më të pasurit në shtetin e tyre.

Duhet të jetë alarmant mendimi që një shumicë drastike e rinisë, e në këtë kontekst mund të quhet edhe edhe shumicë dramatike, edhepse të kualifikuar nuk e shohin Kosovën si vend ku mund të zhvillojnë karrierën e tyre, dhe ikja jashtë Kosovës është opsion primar.

Le të mirren me demarkacion, e me Gjykatë Speciale individët e votuar, por mendja e një 20 vjeçari nuk është as te kufiri e as te lojërat politike të mbushura me manipulime. Nuk dëshiron askush që të asociohet me të paditurit që në vend të publikimeve të politikave zhvillimore, publikimet konsistojne me skandale e me të bëma të së kaluarës.

Autori ka përfunduar studimet Bachelor në Shkenca Politike, Filozofi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Richmond, The American International University në Londër.