Mungesa e Rugovës nxitë dyshimet se PAN ka tradhtuar sekserët

Mungesa e Rugovës nxitë dyshimet se PAN ka tradhtuar sekserët

Pakkush ishte habitur kur me 3 gusht të këtij viti, deputetja e LDK-së, Teuta Rugova kishte votuar pro propozimit të koalicionit PAN për të shtyrë seancën.

Një vizitë e mëparshme e kandidatit për kryeministër nga ky koalicion tek rezidenca e presidentit Ibrahim Rugova, vajza e së cilit u bë politikane e heshtur e LDK-së, kishte lënë të nënkuptohej se PAN kishte siguruar një votë nga tabori i kundërshtarëve.

Një “marrëveshje” e tillë mes Haradinajt dhe Rugovës ishte arritur me negocimin e sekserëve: vëllait të Rugovës, Ukë Rugova, ish-ministrit të dënuar të kulturës, Astrit Haraqija dhe ish-ministrit të Ambientit, Dardan Gashi.

Katër burrat që vendosën për votën e Teuta Rugovës

Por, përkundër angazhimit të madh të sekserëve për të siguruar vota për Qeverinë Haradinaj, kjo nuk u arrit. Kësisoj koalicioni PAN pas dështimit që ta bindë turbo-folk këngëtarin e bërë deputet, Labinot Tahirin nga AKR-ja, vota e Rugovës nuk mjaftonte.

Por një muaj pas kësaj, vota e Teuta Rugovës është bërë e panevojshme.

PAN arriti ta bindë AKR-në e Behgjet Pacollit që të dalë nga koalicioni parazgjedhor me LDK-në dhe Alternativën dhe ti bashkëngjitet një koalicioni paszgjedhor me ta.

Kësisoj PAN siguroi numrat e mjaftueshëm për Qeveri, megjithatë kryetari i këtij koalicioni, Kadri Veseli, nuk harroi që nga rezidenca private e aleatit të ri, Behgjet Pacollit të tregojë se puna e sekserëve në rezidencën e Ibrahim Rugovës, do të shpërblehej.

Veseli  tha se këtij koalicioni do t’i bashkohet edhe një listë, të cilën ai e ka quajtur “Lista Rugova”, ani pse zyrtarisht kjo listë ishte shuar qysh në vitin 2014.

Shpërblehen sekserët, bëhen pjesë e qeverisë

“I kemi edhe partnerët e tjera nga komunitetet dhe e kemi partneritetin tonë me kolegët nga Lista Rugova”, tha Veseli, pas nënshkrimit të marrëveshjes me AKR-në.

Megjithatë gjërat që ndodhën të nesërmen në bisedat e PANA me Listën Serbe, ndryshuan këtë premtim për sekserët.

I përmenduri për të marrë post nga “Lista e Sekserëve” si mbetje e “Listës Rugova” ishte Dardan Gashi. Ai madje kishte shprehur dëshirën qysh moti, që të marrë ndonjë post në Qeverinë Haradinaj.

Por kërkesa e Listës Serbe që të marrë një ministri shtesë, pos dy që i kishte marrë nga PAN, detyroi AKR-në që të tërhiqet nga 5 postet e tyre ministrore, duke ia dhuruar postin e Ministrisë së Bujqësisë, Listës Serbe.

Me këtë u shuan shpresat që “Lista e Sekserëve” të marrë postin e premtuar. AKR-ja me një ministri mangut, nuk mund të lëshojë më pe për të dhuruar ministri për sekserët. Është përfolur Ministria e Planifikimit Hapësinor të cilën e ka AKR-ja si vendi ku Gashi do të rikthehej si ministër.

Dyshimet se sekserët janë tradhtuar nga koalicioni PAN u shtuan të enjten kur Kuvendi u mblodh përsëri për të vazhduar seancën që e kishte nisur në ditën kur Teuta Rugova kishte votuar pro PAN-it.

Por këtë herë Rugova nuk ishte aty. Megjithatë PAN arriti që ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.

Teuta Rugova ia ‘ktheu shpinën’ koalicionit PAN

Insajderi ka provuar gjatë tërë ditës që të kontaktojë me Teuta Rugovën për të mësuar arsyen e mungesës së saj. Nuk e ka hapur telefonin dhe nuk ka kthyer as mesazhet telefonike.

Të paqasshëm kanë qenë edhe sekserët, Dardan Gashi e Astrit Haraqija.

Pse Teuta Rugova nuk ishte aty nuk e ka sqaruar as partia e saj, LDK-ja. Kjo parti, megjithatë dërgoi një komunikatë nëpërmjet së cilës tha se “se koalicioni që sot e zgjodhi kryetarin e Kuvendit, diktohet plotësisht nga Lista Serbe dhe pazargjinjtë”.

Edhe pse i përmendi sekserët nuk tregoi asgjë për mungesën e Rugovës.

“Sot, koalicioni i sekserëve, dëshmoi po ashtu, se përfaqëson vetëm interesat e ngushta të tre individëve, të cilët synojnë të jenë në tri pozitat kryesore të shtetit, duke mos zgjedhur mjete dhe duke mos pasur asnjë konsideratë për të ardhmen e shtetit”,  thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK thotë se ky është koalicion i sekserëve

Por nuk vonoi shumë dhe foli vet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka shuar shpresën e koalicionit PANA se do ta ketë votën e deputetes Teuta Rugova.

“Koalicioni i PDK-së nuk e mori edhe votën e shumëpritur të deputetes Rugova. Vota e saj i takon partisë së Ibrahim Rugovës. Jo atyre që punojnë me logjikë të SHIK-ut, tregtarëve, pazargjijve e tabutgjijve”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ia shuan shpresat Haradinajt për votën e Teuta Rugovës

Se sekserët nuk do të marrin asnjë post ministror, u nënkuptua edhe nga një qëndrim i orëve të fundit të nënkryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

I ftuar në emisionin InfoBox, disa orë pasi Veseli u zgjodh kryetar i Kuvendit, Krasniqi i iki përgjigjes në pyetjen nëse Veseli do ta mbajë fjalën për të angazhuar sekserët në poste ministrore.

Kransiqi përmendi vetëm “bashkëpjesëmarrjen e sekserëve” në Qeverinë Haradinaj duke e vlerësuar pozitivisht vetëm rolin e Teuta Rugovës në “zhbllokimin e institucioneve”.

Ndryshime në ndarje postesh, PDK-ja prinë me ministri

“Nuk mund të them Lista Ibrahim Rugova  do të jetë pjesë e Qeverisë, sepse nuk e di nëse funksionon ashtu, por një bashkëpjesëmarrje e kësaj fryme do të ekzistoj në Qeverinë Haradinaj”, tha Krasniqi.

Kur u pyet nëse një “bashkëpjesëmarrje e tillë” vlen edhe nëse Rugova nuk do të votojë për Ramush Haradinajn kryeministër, Krasniqi i dha shpresë sekserëve.

“ Pavarësisht kësaj, e kemi një bashkëudhëtim në funksionalizimit të institucioneve por do të kemi një partneritet”, tha Krasniqi.

Në cilindo version, dëshira dhe gatishmëria e sekserit Dardan Gashi për të udhëhequr me një post ministror duket e paqartë nëse do të realizohet./Insajderi.com

Shndërrimi i Rezidencës së Rugovës në simbol të krimit dhe pazareve