Murat Meha del para gjykatës

Murat Meha del para gjykatës

Do të nis sot gjykimi i Murat Mehës, Ismet Kryeziut e Nemanja Spasiqit, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Sipas aktakuzës, Meha në cilësinë e kryeshefit të përgjithshëm të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu si drejtor i Drejtoratit Ligjor në këtë agjenci e kanë penguar të dëmtuarën ShPK “Marigona Residence” në ushtrimin e veprimtarisë së saj, duke e vënë në pozitë të pabarabartë në raport me ligjin e zbatueshëm.

Aktakuza sqaron se Meha e Kryeziu nuk e lejuan “ShPK “Marigona Residence” që sipas ligjit ta regjistrojë të drejtën e bartjes së pronësisë në regjistrin kadastral.

Prokuroria pretendon se Murat Meha e Ismet Kryeziu moslejimin e regjistrimit të bartjes së pronësisë e kishin bërë duke e obliguar të pandehurin Nemanja Spasiq, shefin e Zyrës Kadastrale në Graçanicë që të veprojë në bazë të një mendimi profesional të datës 21 janar të vitit 2015.

Ky mendim, që në aktakuzë konsiderohet i nxjerrë në kundërshtim me ligjin, sipas aktakuzës, ia ka cenuar të dëmtuarës “Marigona Residence” barazinë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Seanca fillestare e këtij gjykimi ishte paraparë të zhvillohej më 25 prill, por atë ditë Murat Meha e kishte njoftuar gjykatën se ndodhej në një udhëtim zyrtar në Holandë.