Musliu: Problem për sistemin e drejtësisë janë “Lumezat”

Musliu: Problem për sistemin e drejtësisë janë “Lumezat”

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka quajtur fatkeqësi mungesën e aktakuzave për profilin e lartë në Kosovë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se me kompetencat që ka Prokuroria, duhet të ngreh aktakuza për profilin e lartë.

“Do të jetë e pa efekt gjithçka e themeluar nëse nuk kemi ngritje të aktakuzave. Tash ky departament i ka 38 raste, 4 lëndë të natyrës korruptive por nuk është asnjë profil i lartë”, ka thënë ai.

Ai thotë se marrja me lëndët tjera përveç atyre të natyrës korruptive nuk i justifikon prokurorët që të mos merren me këto lëndë.

“Asnjë zyrtar i profilit të lartë sot nuk është në burg. Komplet janë të paprekshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij është viti i katër dhe nuk është asnjë rast i profilit të lartë që është i dënuar me një ditë burg.

“Është jashtë çdo logjike që të ngritët një aktakuzë nga një prokuror special dhe të mos e kalojë as fazën fillestare. Nëse një prokuror ngrit një aktakuzë atëherë duhet të ketë dënim. Kjo është bërë qëllimisht”, thotë ai.

Musliu thotë se është shqetësuese parashkrimi i lëndëve të korrupsionit.

Ai tutje thotë se problem janë “Lumezat” brenda drejtësisë të cilët i amnistojnë njerëzit e profilit të lartë.

“Ne duhet të kemi veting, problemi nuk është më te ndërtesat e mira, problemi është tek integriteti i zyrtarëve të cilët te procesi i rekrutimit i janë nënshtruar ndikimeve të ndryshme”, ka thënë ai

Musliu thotë se kur IKD ka kërkuar veting të thellë, janë parë me skepticizëm.

“Ne duhet të kemi veting dhe kjo është zgjidhja e vetme. Kjo qeveri që u dorëhoq e ka bërë një punë të mirë me faktorin ndërkombëtarë që është punu në procesin e rishikimit funksional të sundimit të ligjit. Ky rishikim ka përfunduar dhe analizat tregojnë se cili është problemi i sistemit të drejtësisë. Detyrë qeverisë së re do të duhej të ishte të rishikohen ato të gjetura”, ka thënë ai.

Ai thotë se “bërlloku” nga policia e komplet sistemi i drejtësisë duhet të hiqet përmes një vetingu të thellë.

Ndërkaq duke folur për javën kundër korrupsionit ai ka thënë se këtë vit temë e javës kundër korrupsionit janë sinjalizuesit dhe mbrojta e tyre.

Ai thotë se kjo temë është përzgjedhur me një qëllim, që ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve të ketë një momentum të ri, që të gjithë ta kuptojnë e të mobilizohemi që ta luftojnë korrupsionin.

Musliu thotë se ligji për sinjalizuesit është një nga ligjet të cilin shoqëria civile e ka lëvduar në vazhdimësi.

“Më herët nuk kemi pasur sinjalizim. Secili zyrtarë në privat apo publik që sheh që ka shkelje mund të sinjalizojë dhe i njëjti do të mbrohet nga ligji. Ligji si i tillë është shumë i avancuar dhe mundëson sinjalizim”, ka thënë ai.

Ai thotë se ligji nuk po gjen zbatim për arsye shumë të thjeshta.

Sipas tij duhet të nxjerrët legjislacioni sekondar që sqaron të gjitha përgjegjësitë për koordinatorët brenda institucioneve.

“Në këto raste kur nuk merret askush me sinjalizimet atëherë të gjithë sinjalizuesit mund të bëjnë sinjalizim të jashtëm do të thotë tek Agjencia Kundër Korrupsion. Është shumë me rëndësi që sinjalizuesit këtë ligj ta shfrytëzojnë”, thotë ai.

Musliu shton se për këtë vit nuk ka pasur rast të regjistruar të sinjalizuesve.