Mustafa: Çështjen e presidentit së pari e futi në diskutim VV-ja

Mustafa: Çështjen e presidentit së pari e futi në diskutim VV-ja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që e futi fillimisht çështjen e presidentit në kuadër të marrëveshjes mes dy partive.

“Ai ka qenë një propozim që fillimisht është dhëne nga VV-ja (çështja e presidentit), dhe ata e patën konsideruar si çështje të dy shtyllave, njëra shtyllë shkon me kryeministrin dhe shtylla tjetër me presidentin dhe kryetarin e Kuvendit. Propozimi ka qenë i shkruar, ata kanë pritur nga ne që tu japim përgjigje, por ne nuk u dhamë meqë nuk hym në atë fazë të marrëveshjes”, ka thënë ai në Rubikon.

Ai ka thënë se në asnjë rast nuk kanë vepruar me inat, duke shtuar se janë munduar maksimalisht të gjejnë zgjidhje dhe të kenë bashkëqeverisje të baraspeshuar.

“ Ne nuk kemi kërkuar që ta marrim postin e kryeministrit por natyrisht që çështja e partneritetit është çështje e vullnetit të dy palëve. Pozicionet e para kanë qenë harmonizmi i programit, pastaj ndarja e ministrive, ku ne nuk kemi kërkuar ministri nga VV sepse ato nuk janë pronë e tyre. Ato ndahen mes vete dhe kishte dakordim. Ne jemi marrë vesh për që t’i ndajmë 5-5”.

Mustafa gjithashtu tregon edhe për dialogun me Kurtin për ndarjen e ministrive.

“I pari që është në qeveri është kryeministri, pra ai një zgjedhje e kishte, ai nuk ishte për me zgjedh ne, atëherë i dyti isha unë për të zgjedhur dhe nuk isha unë sepse ai veç kishte zgjedhur. Kjo nuk ka qenë çështje as për të cilën është dashur të diskutohet sepse gjithmonë shkon ashtu. Një ditë përpara u morëm vesh që të zgjedhim një nga një, dhe pastaj ai erdhi dhe tha se i pari e zgjedh një ministri, i dyti dy ministri, i treti dy e kështu me radhë. Mirëpo, i thashë që ne nuk e kemi testuar këtë dhe i thashë që me siguri ju e keni testuar këtë”.

Mustafa thotë se çështja e presidentit është diskutuar edhe në takimin e tij me Kurtin po ashtu edhe në takimet e ekipeve të dy partive.

“Ne nuk e kemi trajtuar atë ofertë meqë jemi dakorduar që të shkojmë në zgjedhje. Pra, thashë, dy shtyllat janë propozuar nga VV. Në çdo takim, qoftë vetëm unë dhe z. Kurti por edhe me ekipet tona, është diskutuar për këtë çështje”.

Ai gjithashtu ka përsëritur se i kanë propozuar Vetëvendosjes ndërrimin e pozitave nëse atyre ju duket shumë që LDK-ja ta ketë edhe kryeparlamentarin, presidentin dhe dy ministritë.

“Edhe s’duhet sepse pastaj krijohet një monopol politik. Por, jo, ne i kemi thënë merreni edhe kryeparlamrntarin, edhe presidentin, e edhe një ministri ma shumë, nëse iu duket se po marrin pak, e ne le t’na japin kryeministrin sepse kryeministri është posti me i fuqishëm”.