Mustafa deklarohet i pafajshëm para Gjykatës Speciale

Mustafa deklarohet i pafajshëm para Gjykatës Speciale

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është deklaruar i pafajshëm në seancën e tij të para përpara gjyqatrëve të Gjykatës Speciale në Hagë, njofton Insajderi.

Derisa mori fjalën përpara gjykatësve të Speciales, Mustafa është deklaruar i pafajshëm duke mohuar të gjitha akuzat që kjo gjykatë i ka lidhur me të dhe e ka vendosur atë si ekzekutues të disa akteve kriminale gjatë luftës së fundit të Kosovës.

Në fund të fjalimit të tij, Mustafa tha se është i gatshëm të deklarohet për pafajësinë ose fajësinë e tij.

“Për 16 mijë viktima civile, për afro 20 mijë nëna dhe motra tona të abuzuara seksualisht, për qindra varresa të zbuluara që nga Beogradi deri në Rashkë të Serbisë, për dëmet kolosale materiale të shkaktuara mbi ekonomitë familjare dhe shoqërore të cilat i shkaktoi okupatori serb. Jam i bindur se pajtimi i popullit nuk arrihet duke ia ngritur shpatullat xhelatëve ndërsa viktimat duke i viktimizuar edhe për së vdekuri”.

“Duke shpresuar se kjo Gjykatë do të prodhojë drejtësi edhe pse ende nuk e kam marrë aktakuzën e pacensoruar dhe të gjitha shkresat e lëndës, ju sigurojë z.gjykatës se në këtë betejë time ligjore me Prokurorinë para kësaj Gjykate në çdo rast dhe çdoherë do ta përdori të vërtetën për të vërtetën dhe të drejtën. Sot jam i gatshëm të deklarohem për pafajësinë apo fajësinë time”, ka thënë Mustafa.

Gjykatësi e ka pyetur për secilën pikë veç e veç dhe ai u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat.

Për ndalim arbitrar, Mustafa u deklarua i pafajshëm.

Për krimin e luftës të trajtimit mizor, u deklarua i pafajshëm.

Për krimin e luftës të torturës, u deklarua i pafajshëm.

Për krimin e luftës të vrasjes të paligjshme, u deklarua i pafajshëm.