Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur për bisedimet me Liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai ka thënë se për të gjitha çështjet e akorduara dhe të paakorduara do të merren vesh në tavonlinë me Kurtin.
Në një prononcim për Express, Mustafa ka thënë se bisedimet me VV-në kanë bërë një rrugëtim të mirë dhe të frytshëm
“Çfarë mund të them është se për të gjitha çështjet e akorduara dhe të paakorduara do të merremi vesh me z. Kurti ose nuk do të merremi vetëm në tavolinën e bisedimeve. Kemi bërë një rrugëtim të mirë dhe të frytshëm, prandaj me vullnet dhe qasje pozitive mund të arrihet marrëveshja shpejt”, ka thënë Mustafa.
Po ashtu i pari i LDK-së ka komentuar edhe reagimet e shumta që janë bërë ndaj tij dhe partisë së tij, duke thënë se “selamet” janë të padobishme.
“Selamet” e individëve ndaj LDK-së dhe për LDK-në janë jorelevante dhe të padobishme”, ka përfunduar Mustafa.
Bisedimet në mes LDK-së dhe VV-së janë ngrirë pasi që siç raportohet ato nuk po mund të merren vesh lidhur me ndarjen e ministrive dhe për postin e presidentit.
Derisa Gazeta Insajderi gjatë ditës së djeshme ka raportuar se janë bërë ndarjet e ministrive në mes këtyre dy partive.
Burime të sigurta brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ndarë ministritë mes veti.
Sipas këtyre burimeve, LDK-ja ka zgjedhur Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Forcës së Sigurisë, shkruan Insajderi.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka marrë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
Lëvizja Vetëvendosje më 6 tetor ka dalur fituese e zgjedhjeve. Ata kanë marrë 29 deputetë ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës 28./Insajderi.com