fbpx

Mustafa fton qytetarët në festë, Opozita në protestë

Mustafa fton qytetarët në festë, Opozita në protestë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u ka bërë thirrje qytetarëve që “të shijojnë festën” e pavarësisë së Kosovës.

Në një postim në Facebook Mustafa, e ka quajtur historike këtë ditë që sipas tij “nuk mund të zbehet as vendimet arbitrare për t’ua kufizuar qytetarëve të drejtën për ta shijuar festën”.

Me këtë ai i është referuar protestës së opozitës që është thirrur më 17 shkurt kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi.

“Askush, as vendimet arbitrare për t’ua kufizuar qytetarëve të drejtën për ta shijuar festën më domethënëse të historisë së Kosovës, nuk mund ta zbehë kremten tonë të përbashkët, 17 shkurtin”, ka shkruar kryeministri Mustafa.

Mustafa u ka bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë tendencat eventuale për të përvetësuar sheshe e festa, për interesa të ngushta politike.

“Ju ftoj të demonstroni pjekurinë karakteristike kosovare dhe refuzimin estetik që na ka lënë trashëgimi Presidenti Historik, Doktor Ibrahim Rugova, ndaj tendencave eventuale për të përvetësuar Festa e Sheshe, për interesa të ngushta politike”, ka shkruar më tej Mustafa.

“Jam i bindur se Kosova, sot nuk është bërë ende vendi që kemi ëndërruar ta kemi. Por, këto ditë ne duhet të mbledhim energjitë tona pozitive, për ta kthyer Kosovën në rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit”, shkruan kryeministri Mustafa.

“Me refuzim estetik do ta ndalim çdo tendencë ndaj Kosovës, mike të përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë në Evropë dhe në tërë botën”, shkruan Mustafa.