Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai, përmes një konference për media, ka konfirmuar se po largohet nga posti i kryetarit pas 10 vjetësh.
“Personalisht mendoj që rezultati është shumë i keq dhe nuk e kam pritur fare, duke marrë parasysh takimet në terren dhe fushatën e Hotit”, tha Mustafa në konferencë për media.
“Në shenjë të respektimit të votës së qytetarëve sot e kam njoftuar kryesinë që do ta thërrasë kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore”.
Isa Mustafa ka ushtruar detyrën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga viti 2010, kur në kuvendin e VII zgjedhor të LDK-së ai fitoi me 234 vota në garën për të parin e partisë.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka fituar në asnjë komunë, si dhe ka pësuar disfatë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.
Në këto zgjedhje, LDK-ja konsiderohet të ketë shënuar humbjen më të thellë ndonjëherë.
Në numërimin e 99.23% të votave, LDK-ja radhitet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.