Mustafa: Nuk kam synuar që të jem kryeministër për dy mandate

Mustafa: Nuk kam synuar që të jem kryeministër për dy mandate

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, që njëherësh është edhe kryetar i LDK-së, ka thënë se nuk ka synuar asnjëherë që të qeverisë me vendin në dy mandate radhazi.

Në një intervistë për KTV-në, Mustafa ka thënë se qysh para tre vjetëve ka njoftuar bashkëpunëtorët e tij të LDK-së se duhet të gjinden zgjidhje tjera pasi që ai të përfundojë mandatin.

“Edhe kur kam marr vendimin para tre vjetëve që të jem kryeministër, së bashku me bashkëpunëtorët e LDK-së, atyre u kam thënë në atë kohë që vetëm një mandat do ta mbaj, dhe duhet të përgatiteni që të kërkojmë zgjidhje tjetër, nëse fitojmë”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, kjo ka qenë edhe një prej arsyeve që ai nuk ka kandiduar në listën e deputetëve për zgjedhjet e 11 qershorit.

Arsye tjetër, sipas tij, ka qenë hapja e partisë për kuadro të reja.

“Partia të hapet dhe të jepet shembull që të gjithë kuadrot e LDK-së kanë shanse që të ushtrojnë pozita të caktuara”, ka shtuar ai./Insajderi.com