Mustafa: Opozita të ndalë dhunën e të kthehet në kuvend

Mustafa: Opozita të ndalë dhunën e të kthehet në kuvend

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit të zhvilluar sot ka thënë se opozita duhet të ndalë dhunën e të kthehet në Kuvendin e Kosovës.

Takimi që ishte organizuar nga Presidentja Atifete Jahjaga, e në të cilin kanë marrë pjesë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të SHBA-ve dhe BE-së, parashihej si një takim që do të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik.

Pas këtij takimi, Isa Mustafa ka thënë se ka shprehur shqetësimin e tij për bllokimin e kuvendit, derisa i ka kërkuar opozitës që të ndalë dhunën dhe të kthehet në kuvend.

“I bëjmë ftesë opozitës që të vijë në kuvend”, tha ai.

Më tutje, Mustafa është shprehur që është i nevojshëm bashkëpunimi dhe përfshirja e opozitës në implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin dhe liberalizimin e vizave.

“Kemi nevojë të punojmë bashkërisht për implementimin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave”, shtoi kryeministri.

Ky është takimi i parë i mbajtur mes përfaqësuesve të partive në tentim të gjetjes së një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend dhe u bë i mundur vetëm pas pranimit të ftesës nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të ulet për biseda me partitë e koalicionit qeverisës.

Duket se takimi i mbajtur sot nuk ka përafruar qëndrimet në mes të liderëve politik.

Pas këtij takimi, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka insistuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që të zgjidhet kriza politike, ide kjo që është kundërshtuar nga partitë qeveritare, LDK dhe PDK.