"Ta largojmë Vjosën"

Mustafa propozon largimin e Osmanit nga pozita e nënkryetares në parti

Para pak muajsh kandidate e LDK-së për kryeministre dhe më e votuara e partisë – sot, propozohet largimi i saj nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mustafa propozon largimin e Osmanit nga pozita e nënkryetares në parti

Vjosa Osmani duhet të largohet nga pozita e nënkrytares në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ky ka qenë propozimi që Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ia ka bërë këshillit të partisë.

Propozimi i Mustafës ka ardhur përmes një letre drejtuar Këshillit të Përgjithshëm.

Propozimi tjetër i Mustafës është që Osmani të zëvendësohet me kryeministrin aktual, Avdullah Hoti.

“Bazuar në nenin 24, pika 24.1 të Statutit të LDK-së propozoj që z.Avdullah Hoti të zgjidhet nënkryetar i LDK-së; Bazuar në nenin 24, pika 24.1 i lidhur me nenin 14 pika 14.2 dhe nenit 39 të Statutit të LDK-së, propozoj që znj. Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkrytares së LDK-së dhe e anëtares së Kryesisë”, thuhet në propozimin drejtuar këshillit.

Mustafa në letër i ka përmbledhur të gjitha kundërshtimet që Osmani i ka pasur me partinë ndërsa ka shkruar edhe se Osmani “iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë të drejtuar nga LDK dhe kryeministri Hoti”.

Kryetari i LDK-së para pak ditësh kishte deklaruar se ata që i kundërshtojnë vendimet e partisë nuk mund të marrin pozita udhëheqëse brenda strukturave partiake.

“Të gjithë ata që kundërshtojnë vendimet e partisë, është e rregulluar me statut të partisë me nenin 14.2 që të tillët nuk mund të mbajnë poste udhëheqëse brenda partisë”, pati thënë Mustafa për Televizionin Publik.

Vjosa Osmani ka qenë kundër qeverisë së re të Kosovës, e cila u formua në mes të LDK-së, AAK-së e Nismës, duke e rrëzuar njëherë qeverinë që kishin bashkë me Vetëvendosjen.

Osmani nuk kishte votuar pro rrëzimit të qeverisë me Vetëvendosjen, e më pas as pro qeverisë së re me AAK-në.

Osmani ka histori të gjatë të kundërshtimeve me qëndrimet e partisë.

Gjithsesi, këto kundërshti nga elektorati janë parë si qëndrime parimore të saj dhe kështu vota popullore për Osmanin veç është rritur nga zgjedhjet në zgjedhje./Insajderi.com