Mustafa: Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë – Asociacionin e nënshkroi Thaçi, jo unë

Mustafa: Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë – Asociacionin e nënshkroi Thaçi, jo unë

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas deklarime të këtij të fundit rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe, njofton Insajderi.

Mustafa thotë se Hoxhaj gënjeu kur tha se vendimi për themelimin e Asociacionit u nënshkrua nga ai, duke shtuar se atë e negocioi dhe e nënshkroi Hashim Thaçi derisa ishte kryeministër.

“Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë nga foltorja e Kuvendit?! Është profesor universitar, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës; një kohë ministër i jashtëm sa kam qenë unë Kryeministër. Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka negociuar dhe e ka nënshkruar Kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi (jo Isa Mustafa siç gënjen Enveri). Marrëveshja është ratifikuar me Ligj, në vitin 2013, me 2/3 e Kuvendit dhe është bërë obligim ndërkombëtar”.

Mustafa shkroi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Asociacioni do të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë e ratifikuar nga Kuvendi dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

“Unë kam nënshkruar një marrëveshje të parimeve të përgjithshme për implementimin e Marrëveshjes së Parë, si pjesë e zbatimit të Ligjit për ratifikimin e kësaj Marrëveshje. E kam instaluar dhe fuqizyar rolin e Gjykatës kushtetuese, si arbitër përfundimtar. Por, të thuhet se unë e kam bërë marreveshjen në vitin 2015 për themelimin e Asociacionit, kur për te është vendosur në vitin 2013, është e pavërtetë absolute. Pse vazhdon avazin e gënjeshtrave Enver Hoxhaj, ai e di. Por me rrenë nuk i bënë mirë as partisë së tij e lere më Kosovës”. /Insajderi.com