Mustafa: Qeveria Haradinaj po merr vendime joligjore

Mustafa: Qeveria Haradinaj po merr vendime joligjore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj në këto 100 ditë pune të tij.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo periudhë qeverisëse është karakterizuar më shumë me përshkrime kur zgjohet kryeministri dhe kur shkon në punë sesa me zgjedhjen e problemeve që e mbajnë peng Kosovën.

Sipas tij, në këtë qeveri po merren vendime joligjore dhe jokushtetuese. Mustafa ka theksuar se kjo qeveri është duke e izoluar Kosovën.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për marrëveshjen e demarkacionit, ka thënë se Kuvendi sa më shpejt duhet të marrë vendimin për këtë temë.

‘Nuk ka arsye për t’u vonuar në këtë temë. Aktualisht çfarë dimë është se Kuvendi nuk ka votë për këtë marrëveshje. Deputetët janë të lirë të vendosin në bazë të bindjeve të tyre. Nëse këtë marrëveshje e rrëzon Kuvendi, atëherë një derë mbyllet dhe një tjetër hapet. Do të gjendet një zgjidhje’’, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka thënë se kjo marrëveshje ka gabime dhe se kufiri është zhvendosur nga Çakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savinovodë.

‘’Korrigjimi është i mundshëm por ka shumë garanci që kur të ratifikohet, pastaj mund të ndodhë diçka. Ne nuk kemi ndonjë garanci që ta ratifikojmë kështu, pastaj ta korrigjojmë’’, ka shtuar ai.