Mustafa reagon ndaj deklaratave të Kurtit për fitore: Është në zor të madh

Mustafa reagon ndaj deklaratave të Kurtit për fitore: Është në zor të madh

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se deklaratat e liderit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, për fitore të bindshme në zgjedhje, janë deklarata të një ‘zori të madh’, njofton Insajderi.

Sipas tij, Kurti e shpall veten mbret kur është në zor.

“Deklaratat e tilla nuk i shoh pa ni zor të madh sepse Albin Kurti mund të jetë racional, por ndonjëherë nuk është, kur njerëzt e kanë një zor pastaj e shpallin veten mbret dhe të lënë përshtypje se ata janë të parët dhe s’ka kush i mund. Unë këtë ua lë qytetarëve të vendosin. Unë nuk e garantoj që votuesit e LDK-së do ta votojnë Kurtin ose dikë tjetër ata do ta votojnë LDK-në”, tha Mustafa gjatë një konference për media, në të cilën u zyrtarizua se Avdullah Hoti është kandidat i LDK-së për kryeministër.

I pari i LDK-së u shpreh i bindur se partia e tij do të dalë fituese në zgjedhjet që pritet të mbahen të fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa ka shtuar se nuk do të hyjnë në koalicion me asnjë nga subjektet politike të mëdha.

“Sa i përket koalicioneve, nuk do të bëjmë koalicione me asnjë subjekt politik, përveç asaj se si LDK mbesim të hapur që në listën tonë mund të hyjnë përfaqësues të ndonjë subjekti të vogël politik”, tha tutje Mustafa./Insajderi.com