Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se sot do të vendoset që Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për Kryeministre të Kosovës.
Mustafa përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se sot pret përkrahje nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.
“Vendosim sot, që znj. Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për Kryeministre të Kosovës. Dje, ajo mori përkrahjen e plotë të Kryesisë së LDK-së. Përkrahjen e sigurt e pres sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. E nesër, nga qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Mustafa.
Ndër tjera Mustafa i është referuar, Osmanit si gruaja e parë kandidate për kryeministre, duke thënë se ka një përvojë të madhe.
“Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze”, ka thënë Mustafa.
I pari i LDK-së, ndër tjera ka përmendur edhe Lutfi Hazirin për të cilin ka treguar se ka qenë kandidatë për kryeministër mirëpo sipas Mustafës i ka dhënë përkrahje në këtë kandidaturë Osmanit.
“Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, poashtu, z. Lutfi Haziri, tani Kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës”.
“Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare”, ka shkruar Mustafa. /Insajderi.com