Mustafa thotë se nuk e din pse po ndodhin përleshjet brenda partisë

Mustafa thotë se nuk e din pse po ndodhin përleshjet brenda partisë

Kryetari i Lidhjes Demokrate të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur rreth përleshjeve të fundit që kanë ndodhur nëpër degë dhe nëndegë të partisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Mustafa ka thënë se nuk e dinë pse po ndodhin këto veprime brenda partisë.

“Nuk e di pse po ndodhin por neve kemi marrë vendim në kryesi se të gjithë atyre personave që bëjnë këso veprime të tillëve që nuk janë demokratike, civilizuese dhe në frymën korrekte nuk do t’i japim shansin që ata të vijnë në struktura të LDK-së. Ua kemi bërë me dije edhe këtyre në Mitrovicë edhe atyre në Ferizaj. Po na hyjnë në tubime tona edhe anëtarë tjerë të cilët nuk janë të LDK-së. Nuk kanë shans këta që bëjnë kësi veprimesh të vijnë në struktura të LDK-së”, thotë Mustafa.

I pyetur nëse do të rikandidon për të parin e LDK-së, Mustafa sqaron se qëndrimin e tij do ta bëjë zyrtar vetëm atëherë kur mbyllet procesi zgjedhor.

Këtë thotë ta kenë bërë me të vetmin qëllim që të mos ndikojnë në procesin zgjedhor.

“Jemi marrë vesh në kryesi dhe në forume tona që ambiciet për kryetar të LDK-së të shprehen momentin kur do të thirret kuvendi zgjedhor i LDK-së dhe e kemi lënë deri atëherë në mënyrë që mos ta ndikojmë opinionin. Edhe këto ngjarje që po ndodhin, si në Mitrovicë dhe Ferizaj e që janë të pakëndshme dhe njerëzit të mos shkojnë atje paraprakisht me ndonjë dëshirë që t’ia bëjmë numrat apo delegatët individit që pretendon të bëhet kryetar. Pra t’i lëmë të gjitha ambiciet deri të kryhen zgjedhjet. Do ta jap qëndrimin tim në momentin kur të mbyllet procesi zgjedhor”.

Kujtojmë se përveç degës së Mitrovicës dhe Ferizajt ku pati incidente dhe konfrontim fizik mes delegatëve, probleme të tilla po shfaqen edhe nëpër degët e kësaj partie në kryeqytet.

Para tri dite zyrtarët e LDK-së sërish janë përplasur gjatë procesit zgjedhor në lagjen ‘Mati 1’ të kryeqytetit. Dyshohet se një ndër arsyet kryesore të përplasjes ka qenë se kuvendi është mbajtur pa paralajmërim.

Në një video të cilën kishte siguruar Gazeta Insajderi dëgjohen anëtarët e kryesisë të nëndegës të nervozuar që nuk janë lajmëruar me kohë për mbajtjen e kuvendit zgjedhor.

Pamje nga përleshja e re në LDK – dera mbyllet me çelës për të vazhduar zgjedhjet