Mustafa tregon nëse do ta rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe

Mustafa tregon nëse do ta rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas mbledhjes me kryetarët e degëve, ka folur për punën e qeverisë dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Mustafa e ka lënë të hapur mundësinë që opozita bashkë me Listën Serbe, të bëhen bashkë për rrëzimin e qeverisë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Po vërejmë që po flitet shumë për iniciativën e Listës Serbe. LDK ka marrë iniciativën që të përgatisin mocionin e mosbesimit të qeverisë. Qeveria që unë kam drejtuar është rrëzuar me Listën Serbe. Ne do të bëjmë përpjekje që qeveria të rrëzohet me marrëveshje me të gjitha partitë politike, por nëse nuk bëhet e tillë do ta zbatojmë Kushtetutën. Nuk do të heqim dorë as nga iniciativa jonë për rrëzimin e qeverisë. Ne nuk do e përjashtojmë asnjë që i bashkangjitet kësaj kerkese të LDK-së”, ka thënë kryetari  i LDK-së.

Mustafa edhe një herë ka përsëritur qëndrimin e partisë që drejton, se qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet.

I pari i LDK-së foli edhe për prcoesin e dialogut. Tha se diskutimet me Serbinë duhet të ndalohen, derisa ky shtet ta ndalojë lobimin kundër Kosovës.

Ai kërkoi edhe një herë që të punohet për liberalizimin e vizave, dhe të mos fajësohet BE-ja.

“Kemi kërkuar nga vendet e jashtme që ta mundësojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. I kemi shkruar edhe kancelares Merkel, mirëpo poashtu vlerësojmë se ne nuk guxojmë që ta fajësojmë BE-në për vizat, por duhet ti sigurojmë shtetet anëtare të BE-së se Kosova do të përmbushë të gjitha kriteret, se Kosova do ta luftojë edhe më shumë korrupsionin”, deklaroi Isa Mustafa. /Insajderi.com