Mustafa: VV po ia bën “qejfin vetit” me sondazhe

Mustafa: VV po ia bën “qejfin vetit” me sondazhe

Sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sondazhet e fundit ku e paraqesin Lëvizjen Vetëvendosje të parën, madje me mbi 51% të votave janë “të kultivuara” nga VV që për qëllim kanë t’i “bëjnë qefin vetit”.

Ai për Radio Televizonin e Kosovës, tha se LDK do të dal e para në zgjedhje.

“Sondazhet i kemi marrë si informacione të cilat i kultivojnë dhe i prezantojnë ata që vetveten duan ta reklamojnë. Nuk kemi sondazhe profesioniste që tregojnë se kush është rezultati me të vërtetë. Ato sondazhe nuk janë neutrale. Ia bëjnë qejfin vetes. LDK-ja do të dal bindshëm e para”, tha ai.

Mustafa beson se subjekti i tij politik duhet të garojë e vetme, por për këtë do të vendos kryesia e partisë.

“Akoma nuk kemi vendosur në strukturat e LDK-së, se së shpejti do të organizojmë një mbledhje të kryesisë. Unë mendoj se do të garojmë vet. Mbesim të hapur për ndonjë subjekt të vogël. Por, koalicione parazgjedhore nuk do të bëjmë me asnjë subjekt politik”, tha Mustafa. /Insajderi.com