Mustafa: Zgjedhja e Konjufcës kryeparlamentar, veprim i njëanshëm i VV-së

Mustafa: Zgjedhja e Konjufcës kryeparlamentar, veprim i njëanshëm i VV-së

Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka quajtur veprim të njëanshëm të Vetëvendosjes, zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryeparlamentar.

Ai ka thënë se deputetët e LDK-së e votuan Konjufcën për shkak “se nuk e shihnim të arsyeshme të mos japim kontributin për konstituimin e Kuvendit”.

“Kemi bë përpjekje mjaft të gjatë. Kemi penguar për program dhe e formalizuam si marrëveshje. Jemi marrë vesh edhe për kriteret për ndarjen e ministrive. Jemi pajtuar në koordinim të plotë. Kishim mbetur vetëm te çështja e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve dhe zotimit për çështjen e presidentit kur t’i vije zgjedhja”, ka thënë Mustafa në Rubikon.

“Menduam se ishim shumë afër, por kur i dëgjonim deklaratat e tyre u kuptua se ishte tërheqje prapa. Edhe kjo sot që ndodhi është një veprim i njëanshëm i VV-së, jashtë marrëveshjeve që ne kemi pasur deri më tani. Jo, asnjë marrëveshje s’ka pasur për kryetar të Kuvendit por ne kemi vlerësuar që nëse VV del me propozimin e saj për kryetar të Kuvendit, meqë sipas Kushtetutës është VV ai subjekt politik i parë që ka të drejtën ta bëjë propozimin e kryetarit, atëherë ne ta votojmë këtë sepse ne nuk shohim asnjë arsye që ne të mos japim kontributin tonë për konstituimin e Kuvendit. Çfarë do të ndodh më vone është çështje që duhet të shihet dhe vlerësohet më tutje”.