Myftiu tregon kohën kur do të fillojë ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Myftiu tregon kohën kur do të fillojë ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Në fillim të vitit 2013, ishte vënë gurëthemeli i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, në atë kohë nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi si kryeministër si dhe nga Naim Tërnava si myftiu i Kosovës, por që nga atëherë asnjë veprim tjetër nuk është ndërmarrë për këtë xhami.

Së fundmi Naim Tërnava na një intervistë për Arbresh.info ka thënë se është i bindur se ndërtimi i kësaj xhamie do të fillojë gjatë kësaj vere.

“Ju e dini qe pesë vite komuna neve na vonoj duke mos i dhënë ato kushtet urbanistike që ne të fillojmë në përpilimin e projektit  detal të xhamisë dhe ne tash u bënë disa muaj që kemi marrë kushtet urbanistike dhe në përfundim është projekti i Xhamisë së Madhe unë kam bindjen e thellë që gjatë kësaj vere do të fillojë ndërtimi i kësaj xhamie”, ka deklaruar Tërnava.

Ai ka thënë se me ndërtimin e kësaj xhamie do të përfitojnë edhe xhamitë e tjera në Prishtinë të cilave do t’iu jepet më shumë hapësirë, teksa ka shtuar se ndërtimin e xhamisë mund të fillojë mas muajit të Ramazanit.

“Më pastaj edhe xhamitë e tjera në kryeqytet do të letohen për shkak se Xhamia e Madhe do të marrë një numër të madh të besimtarëve. Në muajin e ramazanit nuk mund të ndodhë të fillojë ndërtimi i saj por pak më vonë nga se është në përfundim e sipër, pasi është dashur të sigurohen mjetet. Por vonesa na ka sjellë telashe tepër të mëdha sepse tash ish harru kjo xhami”, ka deklaruar Tërnava.