
Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës i është ndaluar hyrja në Serbi gjatë ditës së djeshme, ku ishte duke shkuar për një vizitë pune në Kroaci
Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Para pak kohësh qyteti i Osijekut në Kroaci më ftoi në vizitë pune. Edhe pse nuk kam kaluar ka Serbia më shumë se 20 vite, me rekomandim të ambasadës së Kosovës në Kroaci, vendosëm të udhëtonim nga Serbia. Momentin që arritëm në kufi, policët serb kërkuan që të parkonim veturën dhe të presim. Pasi që na lënë rreth një orë të presim, njëri nga policët u afrua dhe kërkoi që ta shoqëroja deri në zyre. Aty më tha që e kam të ndaluar hyrjen në Serbi”, ka shkruar Haskuka.
Ndër tjerash ai ka treguar se nuk policia serbe nuk ka treguar arsyen e ndalesës së tij në kufirin serb.
“Kur e pyeta pse, më tha që nuk mund të më tregoj, por që nuk mund të kaloj ka Serbia dhe duhet të kthehem menjëherë prapa dhe që duhet të ndihem me fat ngase kisha mundur të kaloja edhe më keq”, ka treguar Haskuka.
Ndërsa kryetari Haskuka i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar politikanët kosovarë të cilët janë duke marr pjesë në dialogun me Serbinë në Bruksel. Ai ka thënë se “Në 20 vitetet e fundit, me ndihmën e pushtetareve tanë të korruptuar dhe me bisedime në Bruksel kemi normalizuar fashizmin serb ndaj Kosovës”.
“Ata të diskriminojnë të kthejnë nga kufiri pa arsye, ndërsa ne ju lejojmë demonstrimin me simbole fashiste njerëzve që kanë kryer masakra në Kosovë. Për më keq, fashizmi dhe racizmi serb ndaj Kosovës, u normalizua jo vetëm në Serbi, por edhe në institucionet ndërkombëtare, ashtu si na e vërtetoi edhe vendimi i fundit i FIFA-s, lidhur me simbolin e shqiponjës”, ka shkruar në fund Haskuka.
Nuk është hera e parë që kosovarët iu ndalohet hyrja në Serbi. Disa javë më parë artistes, Eliza Hoxha i është ndalur hyrja në këtë shtet, po ashtu edhe analistit Shkëlzen Maliqi i kishte ndodhur e njëjta gjë. /Insajderi.com