Nagavci e konsideron të papranueshëm largimin e 8 vjeçares me autizëm nga shkolla “Elena Gjika”

Nagavci e konsideron të papranueshëm largimin e 8 vjeçares me autizëm nga shkolla “Elena Gjika”

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar për rastin e 8 vjeçares të cilën e larguan nga shkolla “Elena Gjika”, për shkak se ishte me autizëm.

Sipas saj, veprimi i tillë është pamundësim i vijimit të procesit mësimor dhe se është akt i papranueshëm i cili nuk do të tolerohet pasi shteti ka ndarë buxhetin për punësimin e asistenteve.

Ajo ka fajësuar komunën e Prishtinës se ka neglizhuar rekrutimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Nagavci ka thënë se Ministria ka ndarë mjete për punësimin e 100 asistenteve. Ndërkaq për të trajtuar këtë rast ajo është shprehur se ka autorizuar ekipet dhe varësisht gjetjeve edhe do të veprojnë.

“MASHTI në kuadër të sigurimit të mekanizmit të mbështetjes se shkollës dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara ka ndarë mjetet dhe buxhetin për punësimin e asistenteve.

“Komuna e Prishtinës e ka pasur të lejuar punësimin e 12 asistentëve dhe detyra e tyre ka qenë pikërisht mbështetja e nxënësve me aftësi të kufizuara që kanë vështirësi në adoptim dhe mësimnxënie.

“Fatkeqësisht, Komuna e Prishtinës nuk i ka punësuar këta asistent” ka shkruar Nagavci në rrjetin e saj social “Facebook”.

Ajo ka i ka bërë thirrje komunave që të punësojnë asistentet të cilat duhet t’i angazhojnë në shkolla, për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje.

Ndryshe drejtoria e shkollës “Elena Gjika” kanë deklaruar se një ekip komunale kishte bërë vlerësimin e nxënëses dhe pastaj e kishte referuar që ajo t’i ndjek mësimet në Qendrën Burimore “Përparimi”./Insajderi.com