Nagavci ndan mirënjohje për fituesen e medaljes së argjendtë në EGMO, Era Syla

Nagavci ndan mirënjohje për fituesen e medaljes së argjendtë në EGMO, Era Syla

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknolgjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ndarë mirënjohje për Era Sylën, e cila fitori medaljen e argjendë në Olimpiadën Matematike Evropiane për vajza 2021, njofton Insajderi.

Ajo ka theksuar se mirënjohja për këtë nxënëse, është mundësi e mirë që të motivojë të gjitha vajzat dhe djemtë se me angazhim dhe punë arrihen sukseset.

“Ministrja Nagavci theksoi se edhe në programin qeverisës është paraparë mbështetja për të gjitha nivelet dhe se fokusi do të jetë në identifikimin e talentëve të rinj”, thuhet në njoftim nga MASHTI.

Më tutje në këtë kumtesë  thuhet se dhe “nxënësja Era Syla, e falënderoi ministren Nagavci për mirënjohjen po ashtu, ka falënderuar Shoqatën e Matematikanëve dhe Institutin Atomi për përkrahjen e fëmijëve me aftësi të jashtëzakonshme dhe tha se shpreson që pas studimeve në ShBA të kthehet në Kosovë e t’i inspirojë të rinjtë që të ndjekin rrugën e saj”.

Në prill të këtij viti është mbajtur Olimpiada e dhjetë Evropiane e Matematikës për vajza-EGMO 2021, në të cilën nxënësja nga Kosova, Era Syla fitoi një medalje të argjendtë.

Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë të tillë ndërkombëtare, po ashtu nxënësja Era Syla, është atomiste e identifikuar nga Instituti Atomi, e cila edhe vitin e kaluar ka fituar Medalje të Bronztë në EGMO 2020.

Ajo tashmë është pranuar për të studiuar matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në Massachusetts Institute of Technology në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Insajderi.com