Navalni: Putini po paguan një çmim të lartë politik për Krimenë

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny thotë se vendimi i Presidentit Vladimir Putin për të aneksuar Krimenë, pesë vjet më parë, ka sjellë një kosto të konsiderueshme financiare për qytetarët rusë dhe një kosto të madhe politike për vetë presidentin.

Navalni: Putini po paguan një çmim të lartë politik për Krimenë

“Putini, për të konsoliduar pushtetin e tij personal, flijoi interesat e një numri të madh njerëzish”, tha Navalny për shërbimin rusisht të Zërit të Amerikës, duke cituar të dhënat e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Rusisë.

Rusia e pushtoi Krimenë dhe e aneksoi këtë gadishull të Detit të Zi nga Ukraina në vitin 2014, pas protestave në Kiev, që çuan në rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës Viktor Janukoviç. Kjo shënoi pushtimin e parë me forcë të një territori në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe solli sanksione të shumta amerikane dhe të BE-së që i kanë shkaktuar mjaft dëme ekonomisë së Rusisë.

Më 18 mars 2014, dita kur Krimeja u përfshi zyrtarisht në Federatën Ruse, Presidenti Putin deklaroi në një fjalim në Kremlin: “Krimeja ka qenë gjithmonë pjesë e pandarë e Rusisë në zemrat dhe mendjet e njerëzve”. Gadishulli i rëndësishëm strategjik ishte territor rus deri në vitin 1954, kur u përfshi në republikën e atëhershme sovjetike të Ukrainës nga udhëheqësi Nikita Hrushov.

Zoti Putin përdori të njëjtin fjalim për të denoncuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre se e kanë “mashtruar” Rusinë dhe kanë marrë vendime prapa shpinës së saj. “Kështu ndodhi me zgjerimin e NATO-s në Lindje, me vendosjen e infrastrukturës ushtarake në kufijtë tanë”, tha udhëheqësi rus. “Ata gjithmonë na thoshin të njëjtën gjë:” Epo, kjo nuk ka lidhje me ju”.

“Për disa kohë Putini e forcoi pushtetin e tij personal, por vendi pagoi një çmim mjaft të lartë, sepse ai e përdori të gjithë politikën e brendshme në favor të aventurave të politikës së jashtme, që filluan në 2014 dhe vazhdojnë edhe sot,” tha zoti Navalny, duke iu referuar aktiviteteve ushtarake ruse rreth Krimesë, përgjatë kufirit të rajonit lindor Donbas të Ukrainës, dhe në terren në Siri dhe Afrikë./Insajderi.com.