Ndërkombëtarët: Miratojeni Demarkacionin, është i saktë!

Ndërkombëtarët: Miratojeni Demarkacionin, është i saktë!

Zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, të Ambasadës së Francës e Norvegjisë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta miratojnë versionin aktual të Demarkacionit, pasi marrëveshja e vitit 2015 e ruan kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës

Pavarësisht raportimit të Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili konstatoi se Kosova humb territor nga versioni aktual i Demarkacionit, përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Kosovë kanë thënë se kjo marrëveshje është e saktë dhe si e tillë duhet ratifikuar.

Madje sipas tyre, komisionet e mëparshme (duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar) kanë bërë një ekzaminim të përgjithshëm rreth kësaj marrëveshjeje që tregon për saktësinë e kësaj marrëveshjeje.

Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë për “Zërin” se të dyja palët, edhe ajo e Kosovës, edhe ajo e Malit të Zi, ishin pajtuar që ta nënshkruanin Marrëveshjen e Demarkacionit para më shumë se dy vjetësh.

“Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit, e arritur në vitin 2015, ishte nënshkruar nga Qeveria e Malit të Zi dhe nga Qeveria e Kosovës. Të dyja palët u pajtuan kështu së bashku për të definuar vijën kufitare”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade.

Andaj, sipas zyrtarëve të saj, Marrëveshja e Demarkacionit mes dy shteteve duhet të miratohet.

“Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet. Ajo ka të bëjë me kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo është po ashtu një kusht i domosdoshëm që Kosova të ecë përpara drejt liberalizimit të vizave”, potencohet më tej.

Ndërkaq, Ambasada e Norvegjisë në Kosovë ka deklaruar se marrëveshja në fjalë, e arritur në vitin 2015, është krejtësisht e saktë.

“Norvegjia beson se komisionet e mëparshme si në Kosovë, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, kanë bërë një ekzaminim gjithëpërfshirës, tërësor dhe objektiv të demarkacionit të kufirit midis Kosovës dheMalit të Zi dhe beson se demarkacioni i përfunduar në marrëveshjen aktuale është e saktë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Norvegjeze dhënë “Zërit”.

Me këtë rast, duke folur rreth vendimit të Qeverisë që ta dërgojë në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit, Ambasada ka thënë se Norvegjia e përshëndet vendimin në fjalë.

“Norvegjia përshëndet vendimin për ta dërguar Marrëveshjen e Demarkacionit në Kuvend. Tani do të jetë në Kuvend që të marrë vendimin e saj. Me miratimin e marrëveshjes Kuvendi do ta lehtësojë integrimin e mëtejshëm të Kosovës në bashkëpunimin evropian”, theksohet në përgjigje.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Komisioni i Ri Shtetëror, në krye me Shpejtim Bulliqin, duke prezantuar raportin përfundimtar para Qeverisë konstatoi se ish-Komisioni (i drejtuar nga Murat Meha) ka zhvendosur vijën kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.