Ndërpriten kërkimet për personin që dyshohet se u hodh nga “Ura e Fshajtë”

Ndërpriten kërkimet për personin që dyshohet se u hodh nga “Ura e Fshajtë”

Për shkak të kushteve atmosferike është ndërprerë kërkimi për gjetjen e trupit të personit i cili dyshohet se gjatë së hënës është hedhur nga “Ura e Fshajtë” në Gjakovë.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

“Pas vëzhgimit të terrenit dhe në veçanti shtratit të lumit, janë ndërprerë kërkimet, me arsyetim kushtet e pamundshme të kërkimit nga uji dhe të reshurat atmosferike. Për vazhdimin e këtij operacioni do të njoftoheni”, ka thënë Xhurkaj.

Policia ka konfirmuar të hënën se i dyshuari e ka lënë veturën afër rrugës dhe se brenda veturës kishte lënë një letër.

“Tani jemi në fazën e parë të hetimeve dhe nuk mund të japim detaje më shumë. Dyshohet se një person i lindur rreth vitit 1971/72 është vërejtur nga një kalimtar i rastit që ka kërcyer. Veturën e ka parkuar afër rrugës e ka lënë një letër. Policia e ka këqyr vendin e ngjarjes. Ne kemi njoftuar njësitë e kërkim-shpëtimit, presin që edhe ata të na e bashkëngjiten”, kish deklaruar policia.

Ndërkaq, kanë kaluar më shumë se 20 orë dhe trupi i viktimës ende nuk është gjetur./Insajderi.com