Ndërron jetë ish-deputeti i Kushtetutës së Kaçanikut

Ndërron jetë ish-deputeti i Kushtetutës së Kaçanikut

Ish-deputeti në kohën e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, Ali Shahini, ka ndërruar jetë, njofton Insajderi.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili me anë të një postimi në Facebook, ka shprehur ngushëllimet e tij për këtë humbje.

Aliu shkruan se vepra e guximshme e Shahinit për themelet e Kosovës, mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë e Kushtetutën e Kaçanikut, është skalitur në faqet e historisë së re të Kosovës.

”Me pikëllim të thellë, mora lajmin për ndarjen nga jeta të deputetit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 Shtator 1990, prindit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Shahini. Vepra e tij e guximshme për themelet e Kosovës, mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990, frymëzim që brumosi edhe bijtë e tij në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë është skalitur në faqet e historisë së re të Kosovës”, shkruan kreu i Ferizajt.

Shahini ishte nderuar me dekoratën “Medalja e Artë e Pavarësisë” nga ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. /Insajderi.com