Ndërron jetë kitaristi i grupit “Purgatory” që krijoi këngën “Jakup Ferri”

Ndërron jetë kitaristi i grupit “Purgatory” që krijoi këngën “Jakup Ferri”

Kitaristi i grupit të njohur kosovar “Purgatory”, Valon Gashi ndau lajmin se kolegu i tij, Valton Berisha ka ndërruar jetë, njofton Insajderi.

Lajmin e ka bërë të ditur me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, por nuk u dha një shkak i vdekjes.

Pas një qëndrimi të gjatë në Zvicër, Berisha u shpërngul për në Amerikë, në Kaliforni. Atje, ai themeloi një kompani për menaxhim biznesi.

Grupi ishin krijues të këngë hit si “Jakup Ferri”, ”Sadija“ dhe “Do t’i Lutem qiellit”. Kjo e fundit u publikua në mars të vitit 2007.

Emri i grupit, “Purgatori” rrjedh nga vepra e Dante Aligerit, “Komedia hyjnore” dhe u themelua në vitin 1992, me iniciativë të kitaristit të bendit, Valon Gashi dhe Veton Nushit.

Albumi i parë doli në shitje në vitin 1998, dhe u titullua ”Larg vendit të shqiponjave”. Ky titull u përshtat edhe me emrin e grupit duke pasur parasysh se anëtarët ishin në ekzil – të gjithë në qytetin e Baselit, Zvicër.

Në vitin 2010, ata u rikthyen pas një dekade në muzikë për të performuar në shekullin e ri. Grupi performoi në Basel me po të njëjtin anëtarë: Valton Berisha (solo kitarë), Enis Potoku (vokal), Driton Ajeti (bateri), Haxhi Berisha (vokal), Berat Fejzullahu (bas) dhe Bekim Krasniqi (ritëm-kitarë).

Në shtator të vitit 2019, pas shumë vitesh performuan në Kosovë, në Gërmi. Grupi u rikthye me një koncert dhe përbërje të re me Enis Potoku (vokal), Valon Gashi (kitarë), Valton Berisha (kitarë), Faton Lahaj (bas kitarë) dhe Visar Rexha (bateri). /Insajderi.com