Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, ministri Ismaili shpalos detajet rreth buxhetit e kohëzgjatjes

Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, ministri Ismaili shpalos detajet rreth buxhetit e kohëzgjatjes

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në intervistë për Insajderin ka shpalosur detaje rreth projektit për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.

Ismaili ka thënë se fillimisht për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës janë ndarë 7 milionë euro duke theksuar se kjo shifër mund të ndryshojë. Në anën tjetër është shprehur optimist se projekti si i tillë do të përfundojë brenda 3 viteve.

“Buxheti i ndarë deri tani është 7 milionë euro, mirëpo ky nuk do të jetë buxheti përfundimtar sepse ne varësisht nga projekti detal dhe i fizibilitetit do të shohim shifrën e saktë sa do të jetë, pra ajo çka është me rëndësi është që ne kemi filluar dhe në qoftë se kushton 7 milionë apo 14 milionë euro varësisht sa do t’a bëjmë këtë studim”, ka thënë Ismaili për Insajderin.

Ministri, Uran Ismaili e ka cilësuar si të padrejtë mos ndërtimin e deri tanishëm të spitalit për qytetarët e Prishtinës.

“Qytetarët e Prishtinës, nuk kanë pasur mundësi të kenë qasje në Spital, sekondare gjithmonë është dashur të shkojnë në QKUK, që është terciar dhe si i tillë i kanë lënë ata padrejtë pa shërbimin sekondarë që është dashur ta kenë për shumë vite më herët”, ka potencuar ministri.

Gjatë kësaj interviste, Ismaili është shprehur se në lidhje me lokacionin se ku do të vendoset ky spitali ministria ka bashkëpunuar edhe me Komunën, sipas tij komuna do të ofrojë lokacionin, ku ata e shohin të arsyeshëm për vendosjen e tij.

“Qëllimi jonë është që të kemi një Spital modern që i takon qytetit, që të mos jetë një spital i cili në dukje është një mbetje të sistemeve të kaluara tani spitalet janë më humane, me dritë më shumë natyrale, më të lehta për pacientet, një spital që do të jetë modern jo vetëm në pamje por edhe në karakteristikat e tij”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kanë nënshkruar sot Memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Memorandumi i mirëkuptimit “Projekti dhe Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës”, që u nënshkrua nga të dy ministrat, përcakton obligimet institucionale për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të projektit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, pas nënshkrimit të memorandumit tha se tani edhe zyrtarisht nis projekti i madh për ndërtimin e këtij spitali shumë të rëndësishëm për kryeqytetin.

Intervista e plotë: