Ndeshje dramatike, Sigal Prishtina mposht Pejën – kalon në gjysmëfinale të kupës ku e pret Ponte Prizreni

Ndeshje dramatike, Sigal Prishtina mposht Pejën – kalon në gjysmëfinale të kupës ku e pret Ponte Prizreni

Në një ndeshje dramatike dhe interesante deri në fund, Sigal Prishtina ka mundur Pejën 88:90 (15:23, 24:15, 23:26, 26:26), duke kaluar në gjysmëfinale të Final 8 Kupës së Kosovës, njofton Insajderi.

Ndeshjen më mirë e nisën ‘bardhekaltrit’, që kishin epërsi konstante në çerekun e parë dhe këtë pjesë e fitojnë 15:23.

Prishtinasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e dytë, duke thelluar epërsinë në 12 pikë, 19:31, por me kalimin e minutave, këndellen pejanët duke hyrë në një seri shumë të suksesshme, ku arritën që pjesën e parë ta përfundojnë në të mirë të tyre 39:38.

Në periodën e tretë u zhvillua lojë e barabartë, ku epërsia më e lartë ishte 41:47 dhe më pas asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej në rezultat, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 62:64.

10 minutat e fundit ishin shumë interesante dhe dramatike, pasi fituesi është vendosur në sekondat e fundit. Prishtina kishte epërsi 71:82, por Peja nuk dorëzohet sërish, duke ngushtuar shifrat në 86:88, 13” sekonda para fundit, por prishtinasit arritën të menaxhojnë epërsinë dhe triumfuan 88:90, duke kaluar në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me Ponte Prizrenin, takim që zhvillohet të premten nga ora 19:00.

Te Peja u dalluan Dardan Berisha me 31 pikë, tetë kërcime dhe 12 asistime dhe Marko Peroviq me 25 pikë e nëntë kërcime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Nigel Johnson me 33 pikë, shtatë kërcime e tetë asistime dhe Tevin Mack me 26 pikë, 12 kërcime e gjashtë asistime. /Insajderi.com