Ndëshkohet klubi i Ballkanit nga Komisioni Disiplinor i FFK-së

Ndëshkohet klubi i Ballkanit nga Komisioni Disiplinor i FFK-së

Skuadra e Ballkanit, ka pësuar më së shumti në vendimet e Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Klubi nga Suhareka është gjobitur me 2000 euro, për deklarata ofenduese drejtuar organeve të FFK-së, lidhur me ecurinë e rrjedhës së ndeshjeve.

Klubi i futbollit kosovar, në një letër të hapur, kishte pretenduar se ka pasur ndeshje të kurdisura nga klubet e Kosovës.

Gjithashtu ndaj Ballkanit është hapur edhe procedurë disiplinore për lëshimin e organizimit të ndeshjes ndaj Llapit.

“Nga minuta e 88 e deri në përfundim, së paku në katër raste, mbledhësit e topave hedhin topin e dytë në fushë me qëllim të zvarritjeve së lojës”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor.

Pa u ndëshkuar nga Komisioni Disiplinor, nuk ka shpëtuar as lojtari i tyre, Kushtrim Gashi.

Gashi u dënua me dy ndeshje, pas konfrontimit me lojtarin kundërshtar në ndeshjen ndaj Llapit, i cili gjithashtu u ndëshkua me karton të kuq në atë ndeshje.

Ballkani është duke luftuar për titullin kampion në Superligën e Kosovës, në një garë të ashpër me Prishtinën dhe Dritën.

Ata aktualisht pozicionohen në vendin e parë në tabelë me 67 pikë, një më shumë se Prishtina dhe dy më shumë se Drita.

Ndeshjen e radhës, skudara e Blendi Shkembit, do ta zhvillojë në udhëtim te Drenica, të dielën me fillim nga ora 15:00.