“Ndihma e Qeverisë për bizneset e prekura nga pandemia – shumë simbolike”

“Ndihma e Qeverisë për bizneset e prekura nga pandemia – shumë simbolike”

Ndihma e Qeverisë e dhënë për bizneset ka qenë simbolike, shumë e vogël. Kështu thotë pronari i “Dino Company”, Abedin Salihu, i cili ka treguar se për shkak të pandemisë kanë qenë të detyruar të largojnë nga puna 15 punëtorë.

“Si punëtor fizik apo punëtorë që i kemi marrë për ndihmë ka pasur largime të tilla. Jo numër të madh. Gjithmonë me shpresë që do të hapet tregu dhe do të punohet më shumë, mirëpo kemi pasur diku rreth 15 punëtorë që i kemi larguar nga puna”, thotë ai.

“Ndihmat nga Qeveria kanë qenë shumë të vogla. Dhe ato ndihma nuk kanë mundur që të plotësojnë mungesën dhe hapësirën, mendoj zbrastësinë e pandemisë. Ka qenë një ndihmë simbolike të them ndoshta edhe si ndihmë sociale” ka thënë Salihu, raporton EO.

Poashtu Salihu ka kërkuar reflektim nga ana e Qeverisë që të marr kredi për mbështetjen e bizneseve në Kosovë.

“Është një matematikë e thjeshtë, rritja e konsumit e rrit prap edhe buxhetin e shtetit. Zhvillimi i ekonomisë bëhet në momentin kur ne kompanitë marrim kredi për të kryer një projekt dhe në atë projekt ne marrim punëtorë, kredi dhe me punën tonë ja kthejmë kredinë bankës. Po të njëjtën duhet ta bëjë edhe shteti, të marr kredi për zhvillim të bizneseve në këtë fazë, ta ndihmojë biznesin në zhvillim të projekteve që kanë dhe ato mjete prapë do të kthehen në shtet dhe shteti pastaj mund ta kthej kredinë që ka marrë. Funksionon e njëjta formë që funksionon edhe me bizneset tona”.

“Dëshiroj që shteti të reflektojë në këtë pikë pasi që edhe vet shteti do të ketë probleme nëse ne kemi probleme. Unë e shoh që shteti mbledhë taksat nga ne dhe i kthen në shërbimin tonë. Mirëpo nëse nuk ka taksa nga ne atëherë edhe vet shtet do të ketë problem të ekzistojë si shtet”. /Insajderi.com