“Ndjehem komod, kam respektuar ligjin”

“Ndjehem komod, kam respektuar ligjin”

“Unë vetëm kam mbrojtur ligjin”, ka thënë Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kur ka folur para mediave pas seancës që po zhvillohet kundër tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte drejtor i Urbanizimit në Prishtinë.

Prandaj, Aliu deklaron se ndjehet “komod”, për vendimin përfundimtar të gjykatës në Prishtinë.

“Ajo çka kemi bërë ne, çka kam bërë unë si drejtor, është se kam bërë veprim të drejtë, kam mbrojtur interesin publik. U prezantuan të gjitha provat që për të dhënë lejet ne duhet të bazoheshim në plan, pra ne jemi bazuar në plan”, ka pohuar Aliu duke përshkruar veprimin e tij të atëhershëm.

“Këto plane janë në fuqi janë aprovuar nga Kuvendi dhe janë vërtetuar ligjërisht. Ne kemi zbatuar ligjin”.

Madje, po të vepronte ndryshe, atëherë Aliu thotë se do kishte rrezik të shkelej ligji.

“Pra aktakuza nuk ka ndonjë bazë, kemi mbrojtur ligjin dhe ndjehem komod. Kam besim që gjykata do marrë vendimin e duhur”.

Ndaj ministrit Aliu rëndojnë akuzat për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.

Sipas aktakuzës, ata nuk kanë zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim, ka paraparë ndërtim individual për banim./Insajderi.com