Në aksidentin që mbetën katër anëtarë të familjes të vdekur, ka shpëtuar një vajzë 3 vjeçare – mjekët në Shqipëri tregojnë për gjendjen e saj (VIDEO)

Në aksidentin që mbetën katër anëtarë të familjes të vdekur, ka shpëtuar një vajzë 3 vjeçare – mjekët në Shqipëri tregojnë për gjendjen e saj (VIDEO)

Vajza e vetme që ka shpëtuar në aksidentin ku mbetën katër të vdekur të një familjeje kosovare në Rrugën e Kombit në Shqipëri, po arrin të marrë frymë pa nevojën e pajisjeve mjekësore.

Kështu ka njoftuar për media Drejtori i spitalit të Traumës në Tiranë, Arben Zenelaj, njofton Insajderi.

Në aksident humbën jetën prindërit dhe dy fëmijë, ndërsa ka shpëtuar vetëm vajza tri vjeçare, përkundër se ka marrë plagë të konsiderueshme.

Ajo ka mbërritur me urgjencë në spitalin e Tiranës dhe tani është vënë nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Aksidenti ka ndodhur në Rrugën e Kombit, saktësisht në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen.

Në videon e siguruar nga Insajderi shihet një veturë e bardhë e dëmtuar rëndë dhe një kamion, po ashtu i dëmtuar në pjesën e përparme.

Në vendin e ngjarjes, ende mund të vërehen njollat e gjakut.

Për aksidentin detaje ka dhënë policia e shtetit shqiptar.

Në komunikatë thuhet se “mjeti tip ‘Citroen’ me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë”.

Sqarime të tjera pritën në vazhdim, pasi policia njofton se “grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes”./Insajderi.com