“Në çfarë bote jetojnë këta njerëz?” – Ministri spanjoll përplaset me presidentin e Katalonjës për Kosovën

“Në çfarë bote jetojnë këta njerëz?” – Ministri spanjoll përplaset me presidentin e Katalonjës për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell ka deklaruar se Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, teksa ka thënë se nuk do t’ua mohojë vizat atletëve kosovarë që duan të marrin pjesë në gara ndërkombëtare të sportit në Spanjë.

Po ashtu, ai është përplasur me presidentin e Katalonjës, Quim Torra, lidhur me çështjen e Kosovës.

Duke e komentuar deklaratën e Torras, i cili deklaroi se “Katalonja është sikurse Kosova”, Borrell në intervistë për radion spanjolle “Onda Cero” ka ironizuar me këtë deklarim.

“Në çfarë bote jetojnë këta njerëz?”, ka pyetur me ironi kryediplomati spanjoll, raportojnë mediet në Spanjë.

Borrell po ashtu ka thënë se Spanja nuk do t’ua mohojë vizat atletëve kosovarë, por ka ritheksuar se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën edhe përkundër kërkesës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

“Nuk do të pranojmë që një drejtor gjeneral i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të na tregojë neve se duhet ta njohim Kosovën. Kush mendon se është ai?”, ka pyetur Borrelli, duke iu përgjigjur zyrtarit të lartë të IOC-së Pere Miro.