Ne dhe ata

Shkruan: Kujtim Robelli

Ne dhe ata

Historia ka fund, por ne as nuk jemi të thirrur që ta përfundojmë atë, as të detyruar për këtë. E aq më pak kur historia mund të përfundojë me populizëm.
Në kohëra të vështira, qofshin ato të dhëna nga rrethanat, të shkaktuara nga faktorë ekzogjen apo rezultat i akumulimit të politikave të gabuara gjatë viteve apo dekadave të fundit, populli e gjen veten të pakënaqur. Në parim kjo pakënaqësi mund të jetë e dobishme për të ja shtruar rrugën shoqërisë e shtetit drejtë një të ardhmeje më të mirë, sepse paknaqësia mund ta bëjë popullin më syhapur seç ka qenë më parë.
Por pakënaqësia i ka dy anë, një konstruktive dhe një destruktive. Këtë të fundit e quajmë shpresë.
Përderisa në momente të caktuara shpresa për individë mundet me qenë jetësore, ajo në çdo moment për shoqërinë është fatale. Shoqëria stagnon dhe regreson duke ekzistuar në shpresë e me të në iluzion. Jo rastësisht edhe shpresa, elpís, ishte në Kutinë e Pandorës. Apo siç e kategorizonte shpresën Friedrich Nitzsche: ”më të keqen e të këqiave” që ishin në kuti.
Kur në këto kohë të vështira shoqërisë i shfaqet dikush që nuk ishte pjesë e gabimeve politike të kohërave të kaluara, të paktën jo drejtëpërdrejtë; dikush që pretendon se ka ngrënë të vërtetën absolute me lugë dhe që nxitë mendësinë binare të formës “ne dhe ata”, veten gjithmonë duke e futur tek shumica, është e pritshme që shoqëria, syri i uritur për sado pak dritë, do të verbohet nga “aureola” e këtij të shenjti që rastësisht u shfaq në kohën e duhur, për ta shpëtuar shoqërinë nga errësira e përhershme që po i kanosej. Kështu duke rënë nga konstruktiviteti i paknaqësisë në natyrën e saj destruktive: shpresën gënjeshtare.
Për ta ruajtur ndriçimin e “aureolës” ky profet politik ka nevojë që ta mbajë gjallë e madje ta ushqej edhe më shumë shpresën. Më së miri kjo bëhet me mendësinë e lartëpërmendur, duke e ndarë shoqërinë në: populli dhe fajtorët. Mendësi që i lejon të bëj premtime që nuk mund t´i mbajë që atëherë kur ai i premton, thjeshtë për t´i bërë përgjegjës të tjerët e ai të mbetet ai që është munduar.
Me fjalë të tjera, ndriçimin e “aureolës” e ruan Populizmi.
Pretendimi se populizmi është shpikur vetëm që shoqëria ta gjejë veten sërish, është i gabuar. Populizmi është pasoja kur shoqëria e humb veten. Ai është rezultati i gabimeve shumëvjeçare. Populizmi nuk është zgjidhja, populizmi është simptomë e një shoqërie që o´ ende nuk e ka gjetur veten, o´  që veçse e ka humbur atë sërish; simptomë e një shoqërie në rënie. Ai është në një mënyrë rrëshqitja nga njëra formë e pushtetit tek tjetra, që përbën ndryshim formal e jo substancial. Populizmi është realizimi i sinqertë i pushtetit të vjetër, reminishencat e të cilit e ndjekin. Populizmi legjitimon shtypjen e të sotmes me shtypjet e të djeshmes. Në njërin moment Giotina është simboli i lirisë e në momentin tjetër simboli i shtypjes dhe terrorit: Pra, populizmi është i mbuluar me vellon e transhendencës së qëllimit dhe të kohës e kjo vello duhet t´i hiqet; t´i shqyhet.
Nuk mjafton të luftohet vetëm simptoma. Lufta ndaj simptomës duhet të nënkuptojë edhe luftën ndaj shkakut. Prandaj, jo vetëm luftë të tashmes, por me të edhe të kaluarës. Lufta ndaj populizmit është kërkesa për shfuqizimin e shpresës dhe të fatit iluzor të shoqërisë, për të kërkuar fatin e saj të vërtetë. Kërkesa për t´ i harruar iluzionet mbi gjendjen e tashme, është kërkesë për gjendje që nuk ka nevojë për iluzione.
Shkarkimi nga pushteti i vjetër nuk mjafton për të mundur populizmin. Përkundrazi, kjo veç më shumë mund të forcojë atë. Por, edhe po të mund ta mundte, ajo nuk do të ishte zgjidhja: nuk do të ishte progres në vetëdijen e lirisë, siç do të thoshte Hegeli, por do të prodhonte regres. Mënyra e vetme për t´i mundur si pushtetin e vjetër, si populizmin që buron nga ai, është të shihen ashtu siç janë: njëra Tragjedi e tjetra Komedi e saj.