Në dialog njohje reciproke dhe normalizim – deputeti austriak në PE intervistë për Insajderin

Lukas Mandl: Më vjen keq që BE-ja ende duhet të kërkojë me mirësi nga qytetarët e Kosovës për durim. Pavarësisht se sa kohë do të duhet, unë do të vazhdoj luftën për liberalizimin e vizave, e cila është e vonuar, dhe kështu do të bëjnë shumë kolegë nga parti të ndryshme politike dhe pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së

Në dialog njohje reciproke dhe normalizim – deputeti austriak në PE intervistë për Insajderin

“Qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë nuk meritojnë asgjë tjetër përveç një marrëdhënie të normalizuar me njohje reciproke”.

Kështu thotë deputeti austriak në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl, derisa bën të ditur se në punën e tij parlamentare në Bruksel, e ndjekë nga afër veprimtarinë e të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe se përpiqet t’i ndihmojë atij në orientimin drejt së ardhmes.

Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, Mandl thotë se elita politike në të dyja vendet duhet ta kuptojnë përgjegjësinë që kanë para vetes dhe të kuptojnë se dialogu është një parakusht për pranimin në BE.

Prandaj, ai kërkon që qeveria në ardhje e Kosovës të vazhdojë dialogun sa më shpejt që është e mundur.

Në këtë intervistë, Mandl ka folur edhe për thirrjen e PE-së ndaj pesë shteteve anëtare të BE-së për të njohur Kosovën, për çka thotë se “mosnjohja e tyre ka arsye politike të brendshme dhe nuk ka të bëjë me Kosovën”.

Madje ai përmend njohjen e fundit të Republikës së Kosovës nga shteti i Izraelit, duke thënë se ky shtet ka treguar se si duhet gjykuar Kosova dhe shtetësia e saj në mënyrë të pavarur nga çështjet politike të brendshme krejtësisht të ndryshme.

“Mosnjohja nga një pakicë e vogël e vendeve anëtare dobëson pozicionin e BE-së dhe të gjithë Evropës dhe është e padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët meritojnë të jenë pjesë e familjes së BE-së”, shton ai.

Eurodeputeti austriak në këtë intervistë nuk la pa përmendur edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai thotë se mos-heqja e vizave është shumë e padrejtë duke e ditur se të gjitha vendet e tjera në rajon, madje edhe Ukraina tashmë gëzon udhëtime pa viza.

“Më vjen keq që BE-ja ende duhet të kërkojë me mirësi nga qytetarët e Kosovës për durim. Pavarësisht se sa kohë do të duhet, unë do të vazhdoj luftën për liberalizimin e vizave, e cila është e vonuar, dhe kështu do të bëjnë shumë kolegë nga parti të ndryshme politike dhe pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së”, thotë Mandl.

Në raportin e fundit për Kosovën në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, që u votua më 23 shkurt të këtij viti, janë gjetur pengesa në luftën kundër korrupsionit. Madje, zhbërja e Task-Forcës Anti-korrupsion u pa me shqetësim nga PE.

Duke mos dashur të komentojë në atë nëse duhet të rikthehet kjo Task- Forcë nga Qeveria e ardhshme, Mandl sjellë ndërmend se lufta kundër korrupsionit është një parakusht për integrim në Union.

“Autoritetet publike dhe zyrtarët kryesorë të zgjedhur dhe qeveritarë të Republikës së Kosovës përballen me një përgjegjësi të madhe në fushën e luftimit të korrupsionit, e njëjta gjë në pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. BE dhe shumë shtete anëtare si vendi im i origjinës, Austria, janë të gatshëm të ndihmojnë”, thotë ai.

I pyetur nëse pret që të vendoset reciprociteti ndaj mallrave serbe me ardhjen e Albin Kurtit në krye të pushtetit, ai thotë se është i mendimit që  “shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbështesin njëra-tjetrën sesa të pengojnë njëra-tjetrën në rrugën e tyre evropiane”.

Intervista e plotë:

Insajderi: Pas thirrjes për pesë shtetet anëtare të BE-së për të njohur Kosovën, a mendoni se këto vende tani e tutje do ta shohin si të arsyeshme njohjen e këtij vendi?

Mandl: Shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën janë në pakicë, në BE dhe gjithashtu në të gjithë botën. Mosnjohja ka arsye politike të brendshme dhe nuk ka të bëjë me Kosovën. Me njohjen e fundit të Republikës së Kosovës, Shteti i Izraelit ka treguar se si duhet gjykuar Kosova dhe shtetësia e saj, përkatësisht në mënyrë të pavarur nga çështjet politike të brendshme krejtësisht të ndryshme. Mosnjohja nga një pakicë e vogël e vendeve anëtare dobëson pozicionin e BE-së dhe të gjithë Evropës dhe është e padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët meritojnë të jenë pjesë e familjes së BE-së. Raporti i Parlamentit Evropian është një kujtesë e fortë për këto shtete që të ndalojnë politikat e tyre dritëshkurtra dhe të dëmshme. Në fund të fundit është vetëm Parlamenti Evropian që vendosë në emër të qytetarëve të BE-së. Mesazhi është i qartë dhe natyrisht nuk lë dyshim për shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Insajderi: Meqenëse Komisioni Evropian prej kohësh ka nxjerrë në përfundim se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, pse mendoni se po zgjatet ky proces, i cili nuk dihet se kur do të përfundojë?

Mandl: Komisioni Evropian ka deklaruar disa herë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret përkatëse. Parlamenti Evropian e ka konfirmuar këtë vlerësim në raportet e tij. Sidoqoftë, përsëri është një pakicë e vogël e Shteteve Anëtare që bllokon çdo përparim. Sipas mendimit tim, kjo është shumë e padrejtë duke pasur parasysh që të gjitha vendet e tjera në rajon dhe madje edhe Ukraina, tashmë gëzojnë udhëtime pa viza. Më vjen keq që BE-ja ende duhet të kërkojë me mirësi nga qytetarët e Kosovës për durim. Pavarësisht se sa kohë do të duhet, unë do të vazhdoj luftën për liberalizimin e vizave, e cila është e vonuar, dhe kështu do të bëjnë shumë kolegë nga parti të ndryshme politike dhe pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Insajderi: Raporti i paraqitur në Komisionin për politikë të jashtme, gjeti shumë pengesa në luftën kundër korrupsionit. Heqja e Task Forcës Antikorrupsion është parë me shqetësim nga Parlamenti Evropian. Sipas mendimit tuaj, a duhet që kjo Task Forcë të kthehet edhe pas shuarjes së saj?

Mandl: Lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit mbeten shumë të rëndësishme me qëllim tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës. Sigurisht, ky është gjithashtu një parakusht për t’u bashkuar me BE-në. Autoritetet publike dhe zyrtarët kryesorë të zgjedhur dhe qeveritarë të Republikës së Kosovës përballen me një përgjegjësi të madhe në fushën e luftimit të korrupsionit, e njëjta gjë në pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. BE dhe shumë shtete anëtare si vendi im i origjinës, Austria janë të gatshëm të ndihmojnë.

Insajderi: Në këtë raport, heqja e taksës në tregun serb është mirëpritur gjithashtu, a mendoni se vendosja e reciprocitetit për to nga qeveria e ardhshme do të ishte një hap i duhur?

Mandl: Heqja e tarifave 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ishte një veprim i duhur nga Kryeministri Hoti; së pari, sepse tarifat janë gati në çdo rast të dëmshme për ekonominë dhe tregun e punës, së dyti, sepse mundësoi vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili është i një rëndësie të madhe për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe popujve të saj. Në përgjithësi, unë jam i mendimit që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbështesin njëri-tjetrin sesa të pengojnë njëri-tjetrin në rrugën e tyre evropiane. Tarifat nuk janë të dobishme në atë drejtim.

Insajderi: Cilat janë pritjet tuaja për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, me formimin e qeverisë së re në Kosovë?

Mandl: Qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë nuk meritojnë asgjë tjetër përveç një marrëdhënie të normalizuar me njohje reciproke. Elitat në politikë dhe fusha të tjera në të dy vendet duhet të kuptojnë përgjegjësinë e madhe të gjeneratës së tyre të liderëve për të realizuar këtë lidhje të re. Dhe dialogu Kosovë-Serbi është një parakusht për pranimin në BE të Serbisë dhe Kosovës. Prandaj, unë pres që qeveria e re të vazhdojë dialogun sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për ta sjellë dialogun në një përfundim të suksesshëm. Në punën time parlamentare në Bruksel, unë ndjek nga afër punën e Miroslav Lajçak si i dërguari special i BE-së dhe përpiqem të ndihmoj në lidhje me profesionalizmin dhe orientimin drejt së ardhmes. /Insajderi.com