Në dilemë për studimet, mes dëshirës së prindërve dhe pasionit!

Në dilemë për studimet, mes dëshirës së prindërve dhe pasionit!

Rrugët e Peshkopisë i gjen të mbushura me burrat hijerëndë që në grupet e tyre nuk fusin kurrsesi një grua.

Sot do të ndajmë me ju historinë e një vajzë 18 vjeçare, Lorenës që nuk ndrydhet nga mentaleti, por që dallon për shpirtin e lirë dhe të çiltër.

Një vajzë e re që në mes të gjithë burrave që pushtojnë qytetin e Peshkopisë çdo ditë, bën dhe ajo rrugën e vetë, pa u shqetësuar nga shikimet ngacmuese. Sy që nuk do e ndjekin pasi të largohet nga vendlindja për të studiuar në kryeqytet; sepse Lorena sapo ka mbaruar maturën në gjimnazin Said Najdeni me rezultate maksimale.

“Kam qenë shumë e vëmendshme në orët e mësimit dhe shumë aktive. Mësuesit nuk mund ta imagjinonin dot një orë në të cilën unë nuk përgjigjesha”, tha ajo.

Veç familjarëve kanë qenë dhe mësuesit që për shkak të notave, e kanë parë Lorenën si mjeke të ardhshme. Megjithatë, 18 vjeçarja edhe pse shkëlqente në lëndët shkencore, që e vogël interesin e ka pasur në botën e fjalëve.

“Unë e mbaj mend që në festën e abetares i thoja mësueses që të mi jepte mua të gjitha ato vjershat dhe poezitë që do të recitonim në festën e abetares”, thotë ajo.

Mes dy zgjedhjeve të vështira për vazhdimin e studimeve të larta, në Peshkopinë e vogël ku për çdo njeri merren vesh të gjitha, Lorena duket se e ka marr vendimin e saj.

“Zgjedhja e parë e Lorenës ishte mjekësia për shkak të notave të larta që ka marr në shkollë ndërsa pasioni i saj i vërtetë është gazetaria”, tha Islam Shehu- administrator i TV Dibra.

“Me thënë të drejtën kjo është edhe periudha më e vështirë deri më tani sepse më duhet të vendos se për cfarë duhet t’i vazhdoj studimet por mendoj që nuk mund ta lë pasionin sepse është kjo që mua më bën të ndihem mirë”, thotë Lorena.

Ndoshta nesër kur Lorena të bëhet gazetare do të sjell një lajm nga Peshkopia ku rrugët janë çliruar nga hijet e rënda mashkullore të dibranëve, për t’iu lënë vendin vajzave dhe grave të këtij qyteti po aq sa edhe burrave të tij.

Top Channel