Në fillim të vitit të ri shkollor, Zemaj bën thirrje për kujdes të shtuar

Në fillim të vitit të ri shkollor, Zemaj bën thirrje për kujdes të shtuar

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar nga afër disa nga objektet shkollore në prag të filimit të vitit të ri akademik, njofton Insajderi.

Zemaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga i gjithë personeli i shkollave të vendit që të bëjnë kujdes të shtuar duke i respektuar protokollet dhe duke i inkurajuar nxënësit që të mbajnë sa më shumë higjienën.

“Në këtë situatë të pandemisë, secili nga ne duhet ta shtojë kujdesin, andaj lus gjithë personelin në shkollat e vendit, të respektojnë protokollet dhe të inkurajojnë nxënësit  për higjienë, mbajtjen e maskave dhe për distancë fizike. Kështu, pengohet përhapja e Covid-19 dhe viti shkollor do të vazhdoj me sukses”.

Në kuadrin e vizitave nga afër në objektet shkollore, për t’i parë përgatitjet e fundit për fillimin e vitit të ri shkollor, Zemaj ka vizituar shkollat ” Zenel Hajdini”  dhe “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, si dhe “Ganimete Tërbeshi” në Llukar.

Viti i ri shkollor, i paraparë që të fillojë më 1 shtator, është shtyrë nga MASHT, dhe SBASHKU, për datën 14 shtator.

Të hënën më 14 shtator do të fillojnë mësimin në objekte shkollore klasat 1-5, klasat e 6 dhe 10, ndërsa klasat 7, 8, 9 dhe 11 e 12, do të fillojnë më 21 shtator. /Insajderi.com