Në gjendje të rëndë shëndetësore, i dënuari për rastin “Bllaca” kthehet në burg

Në gjendje të rëndë shëndetësore, i dënuari për rastin “Bllaca” kthehet në burg

Të premten pasdite, Driton Hajdari e ka kaluar në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Kjo pasi që Policia, me urdhër të Gjykatës, vendosi ta kthejë atë në mbajtje.

Sipas familjarëve, aty ka ndenjur deri pas orës katër dhe nuk ka arritur as të ushqehet.

Të shtunën, Hajdari, me kërkesë të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, është dërguar në Klinikën e Neurologjisë në QKUK. Kjo pasi edhe një herë, ky departament ka konstatuar se nuk i posedon kushtet e nevojshme për t’u kujdesur për të, raporton KTV.

Sipas të ëmës së tij, gjendja aktuale e Hajdarit është e rëndë.

E sipas avokatit Arlind Jupolli, Gjykata ka marrë vendim për refuzimin e kërkesës për pezullim të dënimit, pa e parë gjendjen shëndetësore të tij.

Më tutje, Jupolli ka thënë që Hajdarit nuk mund t’i ofrohet nga askush e njëjta ndihmë si nga familja.

“Është e qartë se ai nuk mund të qëndrojë në vuajtje as edhe një ditë dhe se gjendja e tij shëndetësore ka degraduar në atë masë që atij i duhet ndihma e personit tjetër gjatë 24 orëve. Problem tjetër të madh për Dritonin paraqet edhe marrja e terapisë se përshkruar për këtë lloj sëmundje, të cilat medikamente nuk gjenden në listën esenciale të barërave, të cilat deri tani janë siguruar nga familjarët, përkundër kostos jashtëzakonisht të lartë, e që DSHB nuk mund t’ia sigurojë, përkundër obligimit ligjor që ka”, ka thënë Jupolli.

Ai më tutje ka treguar që edhe Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën ndaj vendimit për refuzimin e pezullimit të dënimit.

Ndërkaq, nga KMDLNJ-ja thonë që gjendja e Driton Hajdarit është e rëndë dhe nëse burgoset rëndohet edhe më shumë.

KMDLNJ vlerëson se nga aspekti i të drejtave të njeriut për persona të privuar nga liria, kemi të bëjmë me shkelje flagrante të këtyre të drejtave dhe mbajtja e mëtutjeshme ne burg e Driton Hajdarit dhe rasteve te ngjashme, e bën përgjegjës drejtpërdrejt shtetin për pasojat e mundshme e që janë të pashmangshme, sikur që ishte rasti i 6 vdekjeve në burg.

Kohavisioni kishte biseduar me Driton Hajdarin dhe kishte parë nga afër gjendjen e tij. Ai posedon dokumente nga mjekë që tregojnë se gjendja e tij është e rëndë dhe ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme.

Ndërkaq, Hajdari ka edhe dokumente nga ana e DSHB-së që tregojnë se ata nuk mund të kujdesen për të e as t’ia sigurojnë medikamentet e nevojshme.

Driton Hajdari po vuan dënimin prej 7 vjetëve për rastin Bllaca 2. Ai është i dënuar për vrasje në tentativë ndaj zyrtarit të LDK-së, Adem Salihajt.