Në Istog sulmohen dy autobusë me pelegrinë serbë, s’ka të lënduar

Dy autobusë nga Serbia janë sulmuar gjatë ditës së sotme në Istog, por nuk ka pasur të lënduar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibra ka konfirmuar se dy autobusë janë sulmuar me gurë, derisa në ta kishte pelegrinë serbë, të cilët kishin shkuar për vizitë në një manastir në fshatin Studenicë.

“Dy autobusë me vizitorë serbë janë sulmuar me gurë, janë dëmtuar xhamat. Rasti është nën hetim dhe nuk janë identifikuar të dyshimtit. Me këtë rast Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Nuk ka pasur persona të lënduar. Ata kanë qenë në fshatin Studenicë në komunën e Istogut për të vizituar një monument të tyre. Autobusët kanë qenë me targa të Serbisë, dhe nga sulmi janë dëmtuar nga një xham në secilin autobus”, ka thënë Ibra.

Të dyshuarit ende nuk janë të njohur për Policinë, që është duke punuar për të zbardhur rastin, e me këtë rast është njoftuar edhe Prokurori i shtetit”.