fbpx

Në Kaliforni fillon fushata për dalje nga SHBA-të

Interesi që Kalifornia të shkëputet nga Shtetet e Bashkura pas fitores së Donald Trump është rritur. Ata e quajnë thjesht “#Calexit”. Të frymëzuar nga suksesi i “Brexit”, që nxori Britaninë e Madhe me votë popullore nga Bashkimi Europian, të njëjtën gjë kërkon edhe fushata e quajtur “Yes California”.

Në Kaliforni fillon fushata për dalje nga SHBA-të

“Brexit” duket se dha një efekt domino, jo vetëm në Europë, ku është rritur mbështetja për ato që quhen partitë e ekstremit të djathtë, por deri në Amerikën e largët. 60% e votuesve në Kaliforni kërkuan që Hillary Clinton të ishte presidentja e tyre, por ndodhi e kundërta.

Tani, me fitoren e Trumpit ata kërkojnë një referendum pavarësie. Si ekonomia e 6 më e madhe në botë, California është ekonomikisht më e fuqishme se Franca dhe ka një popullsi më të madhe se Polonia, njofton Tch.

Në fillim, fushata e “Calexit” u konsiderua si një formë reagimi momental, ndërsa tani ajo numëron mijëra mbështetës online. Ashtu sikurse u konsideruan edhe protestat në disa shtete të Amerikës, të cilat më vonë u kthyen në të dhunshme. Demonstruesit anti-Trump, në atë që e nisën si lëvizje paqësore, shpërthyen në dhunë ndaj policisë në Portland e Oregon.

Rreth 4.000 protestues u mblodhën në pjesën qendrore dhe perëndimore të qytetit. Shumë prej tyre thyen xhamat e makinave apo dyqaneve aty pranë. 26 persona përfunduan në pranga. Oregoni votoi për Clintonin.

Në një status në “Twitter”, të gjithë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj tij, Donald Trump e cilësoi si një dashuri të madhe të protestuesve për vendin e tyre. Shumica e tubuesve ishin të rinj, që mendojnë se drejtimi i Donald Trumpit do të krijojë ndasi të thella racore e gjinore.